Google search engine
Home Sport Vllaznia ideon raundin e tretë në Conference League

Vllaznia ideon raundin e tretë në Conference League

0
318

Vllaznia bëri një përmbysje të çmendur javën e kaluar ndaj Shiroki Brijeg, duke fituar 3-0 edhe pse kishte humbur duelin e parë me shifrat 3-1. Ky sukses i skuadrës shkodrane bëri goxha bujë dhe në zyrat e UEFA-s, e cila duhet të mendohet seriozisht tashmë para se të dërgojë ndonjë gjyqtar rus që bën antishqiptarin në fushat e futbollit, sikurse ndodhi herën e kaluar në Bosnjë, ku shkodranët e pësuan rëndë prej vendimeve skandaloze të gjyqtarit rus. Sidoqoftë, pasi e kaluan me sukses raundin e parë në Conference League, shkodranët po ideojnë të kalojnë edhe raundin e dytë. Këtë herë do të jetë më e vështirë, pasi përballë kanë një skuadër të njohur qipriote si Ael Limasol, ekip me përvojë në kompeticion të tilla,por që nuk të tremb. Përkundrazi, shkodranët besojnë se mund ta kalojnë Ael Limasolin e të kapin turin e dytë të Conference League. Nuk do të jetë e lehtë, por morali i fitores nga ndeshja e parë dhe njëherësh përgatitjet e grupit, si dhe premtimet për shpërblime kanë sjellë një situatë pozitive në skuadër dhe natyrisht pretendime të rritura. Kur Vllaznia ktheu me përmbysje Shiroki Brijeg, atëherë mund ta eliminojë edhe skuadrën qipriote. Një Vllazni me elementë të rinj, të motivuar dhe mbështetur nga sponsori e sidomos nga publiku i mrekullueshëm shkodran, mund t’ia dalë edhe në turin e dytë të Conference League.

Xhurxheviç, një gjetje e fuqishme e Vllaznisë

Vllaznia ka sjellë lojtarë vendas dhe të huaj. Një pjesë po testohen e një pjesë e kanë kaluar “klasën” dhe i janë ngjitur grupit si forcë e shtuar dhe natyrisht me pretendime të qëndrojnë gjatë në Shkodër. Në fakt, sikurse raportojnë edhe specialistët, një futbollist nuk gjykohet për vetëm një ndeshje, për mirë apo për keq qoftë, megjithatë disa elementë dallohen edhe në vetëm 90 minuta. Vllaznia ia doli të realizonte mrekullinë kundër Shiroki Brijeg duke fituar 3-0, një rezultat që përmbysi humbjen 3-1 në Bosnjë. Shumë vështirë që të përzgjidhje më të mirin në një takim ku të gjithë ishin për notën 10, por nëse cilësitë psh të Adilit, Krujës, Imamit, Hoxhajt, Jonuzit apo ndonjë tjetri, që spikatën, në sy veçanërisht ra Fahrudin Xhurxheviç. Maqedonasi nuk ishte thjesht autor i dy golave, por ishte një futbollist me shumë klas. Sezonin e fundit me Rabotniçkin kishte realizuar 12 gola dhe regjistruar 4 asiste, dhe nuk janë pak sidomos për një lojtar që nuk është një qendërsulmues tipik. 29-vjeçari shfaqi një qetësi prej një snajperi, një futbollist vrasës gjakftohtë në aspektin sportiv të fjalës. Në rastin e golit të parë të ndeshjes mori pasimin e Gurishtës dhe me shumë finesë e qetësi e dërgoi në cep, akoma më i ftohtë tek goli i tretë. Topi i erdhi i saktë nga Çoba dhe shkupjani sërish me një qetësi gati në menefregizëm e mposhti portierin kundërshtar duke bërë që kualifikimi të mos kalonte nëpërmjet shtesës. Është shumë shpejt për ta deklaruar, por po gëzojmë të themi që ndoshta Vllaznia ka gjetur të vetmen pjesë që i mungonte në “puzzle”-in e sezonit të kaluar, për të synuar me më shumë bindje titullin kampion.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here