Laura Nezha së shpejti vjen shpërthyese në Teatrin Shëtitës me një komedi erotike, nën drejtimin e Kiço Londos. Në krahët e saj aktori, regjisori dhe pedagogu Mehmet Xhelili. Komedia erotike “Duke edukuar Ritën” do të ngjitet në skenën e Teatrit Veror të Universitetit të Arteve nga Teatri Shëtitës “Çajupi”, në fundin e muajit korrik. Vepra teatrore e vlerësuar me çmim e autorit Willy Russell, e cila ka qenë një sukses botëror në teatër, por edhe në adaptimin e tij në film, e nominuar për çmimin “Oscar”, merr jetë në skenën e Teatrit Shëtitës në një performancë moderne nga regjisori Kiço Londo. Mehmet Xhelili luan dhe drejton Laura Nezhën, e cila zgjedh atë si mësuesin që do të ndryshojë jetën e saj përgjithmonë! Në materialin rreth komedisë “Duke edukuar Ritën”, thuhet se një dashuri “e papërshtatshme”, me humor dhe kthesa vjen për të tronditur botën tonë teatrale dhe për të na kujtuar se nuk është kurrë vonë dhe gjithçka është e mundur, kur ndjekim atë që mbrojnë zemrat dhe ëndrrat tona! “Një punë thellësisht shoqërore dhe politike, që adreson me hollësi tekstet e gabuara dhe shqetësimet për shoqërinë dhe arsimin që karakterizojnë epokën që ne vazhdojmë të jetojmë edhe sot: padrejtësia e klasës, pamjaftueshmëria e sistemit arsimor që nuk promovon të menduarit kritik, procesin e brendshëm të domosdoshëm të vetë-përmirësimit për individin dhe të mirës së përgjithshme. Ndryshimi dhe transformimi që të gjithë duam, por pak kush e arrin atë, ndodh para syve të spektatorëve përmes ndërveprimit të dy personazheve, të cilët në fund të veprës nuk do të jenë kurrë më të njëjtët!”, thuhet për veprën teatrore, që së shpejti pritet të jetë për publikun.
Çështja e veprës
Shfaqja ndjek marrëdhëniet midis Ritës, një parukiere e re nga Liverpool dhe Frank Bryant, një profesor universiteti, gjatë një semestri. Rita, e pakënaqur me jetën e mërzitshme të përditshme të punës dhe jetës së saj shoqërore, regjistrohet në Universitetin e Hapur. Frank, një profesor i vjetër dhe i nderuar i Universitetit, pranon të ndjekë kursin si një shtesë për të ardhurat e tij. Por takimi dhe njohja e tyre do të ketë një ndikim të thellë tek të dy. Frank do të impresionohet nga spontaniteti dhe sinqeriteti i Ritës dhe do të detyrohet të rishikojë pikëpamjet e tij për jetën, ndërsa Rita e kupton që mësimet e Frank do t’i hapin horizonte të reja për një jetë tjetër që gradualisht do ta mbush me vetëbesim…Takimi i tyre fatal do të ketë një zhvillim të papritur për të dy. Komedia “Duke edukuar Ritën” nga autori Willy Russell është përkthyer nga Artur Lena. Me regji nga Kiço Londo dhe në role me aktorët e njohur Mehmet Xhelili dhe Laura Nezha, as regjisorë janë Klaudia Piroli dhe Flobensa Bezati. Kjo vepër teatrore vjen në vijim të atyre që ka sjellë më parë Teatri Shëtitës për publikun, dhe që janë mirëpritur nga publiku.









































