Lëvizja Socialiste për Integrim duket se është shkërmoqur totalisht. Disfata në zgjedhjet e 25 prillit ishte shumë herë më e fortë nga sa pritej duke bërë që partia e presidentit të shkojë drejt shkrirjes. LSI humbi 15 deputetë në zgjedhje dhe momentalisht ndodhet në situatën më të keqe të saj që pas krijimit.
E reja Kejdi Mehmetaj ishte një prej deputeteve më aktive të LSI-së në opozitë, në Parlament dhe në bojkot. Në shtator ajo nuk do të kthehet në Komisionet e Kuvendit dhe sallën plenare.
Nga viti 2017 në 2021 LSI zbret me 5 mandate, faktorët sipas Kejdi Mehmetajt, nuk janë vetëm të jashtëm.
Pas humbjes, në PD po analizohet edhe ndikimi i faktorit LSI në rezultatin që i la në opozitë dhe në radhët e tyre disa e vlerësojnë negativisht. Nënkryetarja e LSI i përcolli me ironi konstatimet nga aleatët me të cilët dolën të ndarë në zgjedhje, por patën firmosur edhe marrëveshje.
“Lëvizja Socialiste për Integrim i është nënshtruar një raporti analize të 25 Prillit proces i cili do të pasohet me ndryshime në struktura dhe në poste vendimmarrëse në LSI”, u shpreh ajo për A2.









































