Google search engine
Home Aktualitet Festivali “Vox Baroque” në edicionin e tetë, muzikë baroke dhe promovimi i...

Festivali “Vox Baroque” në edicionin e tetë, muzikë baroke dhe promovimi i trashëgimisë kulturore

0
353

Tingujt e muzikës baroke erdhën me interpretimin e artistëve të njohur, në mbrëmjen që nisi edicioni i tetë i Festivalit Ndërkombëtar të Muzikës Baroke. Festivali “Vox Baroque” në drejtimin e drejtorit Jusuf Beshiri hapi edicionin e tetë në qytetin e Korçës, në një ambient të veçantë. Mbrëmja e parë e këtij festivali ishte të shtunën në oborrin e Muzeut Arkeologjik, në Korçë. Pjesëmarrës në këtë koncert ishin 4 muzikantë të njohur. Në flaut traversier barok Valeria Desideri, violinë Abigeila Voshtina, violonçel Arben Skënderi dhe klavicembal Jusuf Beshiri. Nën interpretimin e instrumentistëve të njohur të pranishmit shijuan një program të zgjedhur muzikor. Drejtori i festivalit Jusuf Beshiri shprehet se ishte zgjedhur një program muzikor, ku dhe ambienti përkonte më së miri. “Programi i koncertit u përzgjodh me një vëmendje të veçantë, duke përfshirë muzikën baroke italiane dhe shkollën violinistike të saj me kompozitorë si Vivaldi, Scarlatti, Albinoni, Tartini, Corelli, por nuk mund të mungonte dhe nderimi për perandorin e Prusisë Federco II Grande, i cili ishte dhe një kompozitor e flautist. Flautistja Valeria Desideri interpretoi një nga kryeveprat e tij dhe jo vetëm, por dhe nga faqet e më të rëndësishme të muzikës për flaut të shekullit të 18, sonatën në mi minore për flaut traversier e cembalo”, tregon drejtori i festivalit. Pjesëmarrës në koncert por dhe drejtor i festivalit, Jusf Beshiri vijon se sonatat në trio u luajtën me instrumente origjinale, gjë që bën të veçantë në llojin e vet këtë festival.

Rëndësia e festivalit

Festivali “Vox Baroque” do të vazhdojë rrugëtimin e tij me datë 9 korrik në Tiranë, me grupin italian “Vox Humana”, në Tulla Taracë në orën 19:00. Në 10 korrik do të vijojë në ambientet e petroliferës italo-shqiptare në orën 20:00, dhe në 14 korrik artistët do të jenë në qytetin e Beratit në kala me “Albanian Baroque Ensemble”. I pyetur rreth rëndësisë së festivalit dhe muzikës baroke, drejtori Jusuf Beshiri shprehet se njohja e autorëve të asaj periudhe ka rëndësi. “Muzika baroke këtu në Shqipëri ka qenë jo shumë e lëvruar dhe jo me instrumente origjinale. Njohja e shumë kompozitorëve të asaj periudhe i bën të njohur publikut muzikën e kësaj periudhe, duke nisur nga ajo instrumentale në atë vokale dhe historinë e tyre”, tregon ai. Mbrëmja e parë e festivalit u ndoq me interes në Korçë dhe drejtori Jusuf Beshiri thotë se në vëmendjen e tyre është dhe trashëgimia. “Te festivali është me rëndësi që në të gjitha koncertet mundohemi të promovojmë trashëgiminë tonë kulturore, dhe në nëpërmjet kësaj të gjithë të huajt që vijnë si tani në Korçë, ata vizitojnë qytetet dhe sitet arkeologjike, apo siç kemi bërë dhe në Apoloni, Butrint, në Voskopojë te kishat më të rëndësishme, etj. Me festivalin promovojmë trashëgiminë kulturore dhe turizmin në të njëjtën kohë. Një festival shumë përfshirës”, shprehet Beshiri. “Vox Baroque” mbetet aktiviteti i vetëm në llojin e tij në Shqipëri.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here