Vakancat në organet e vetingut, Ivanova zgjidhet anëtarët zëvendësues në KPK, Nino tek Komisioneri Publik

0
424

Ashtu siç gazeta e kishte paralajmëruar, ditën e djeshme Komisioni “ad hoc” për plotësimin e vendeve vakante për anëtarë zëvendësues si Komisionerë të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe anëtarë zëvendësues për Komisioner Publik, u mblodh në ambientet e Kryesisë së Kuvendit nën drejtimin e kryetarit Ulsi Manja. Komisioni fillimisht miratoi procesverbalin e datës 25.06.2021. Më pas Komisioni shqyrtoi miratimin e listës për votim. Gjatë fjalës së tij, zoti Manja u shpreh se është përcaktuar qartë që do të përdoret për votim lista e kandidatëve të kualifikuar në 2017-ën, kur edhe Kuvendi përmbylli hedhjen e shortit për organet e vetingut KPK, KPA dhe Komisionerin Publik. Manja propozoi që lista përfundimtare për miratim për Komisioner të KPK, të kishte 4 kandidatë dhe ajo për Komisioner Publikë të kishte 12 kandidatë, pasi të tjerët nuk plotësonin kriteret. Ndërkohë u bë një prezantim i shkurtër i CV-ve të kandidatëve. “Kandidatët plotësojnë kriteret dhe është kryer verifikimi i tyre në të tre komponentët”, deklaroi Manja. Më pas për Komisionerë të KPK u miratua lista për votim me 4 kandidatë Arben Lena, Irena Nino, Rozeta Ivanova dhe Suzana Pasha. Ndërsa për Komisionerë Publikë u miratua lista me 12 kandidatë, Albana Tushe, Arte Gjonaj, Bledar Cenameri, Edmond Kasmi, Eliona Lloja, Irena Nino, Liri Llukani, Mirjon Theodhosi, Orjela Shishi, Rovena Pregja, Suzana Hoxha, Suzana Pasha. Komisioni u tërhoq më pas për të kryer votimin për dy anëtarët zëvendësues nëpërmjet një sistemi elektronik që mundëson votimin e fshehtë, ku secili anëtar voton për një kandidat. Në fund Komisioni miratoi me 10 vota pro vendimin për miratimin e listës me dy anëtarët zëvendësues, për anëtarin e dytë zëvendësues në KPK Rozeta Ivanova dhe për anëtar i parë zëvendësues si Komisioner Publik, Irena Nino.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here