Ndryshon procesi i kompensimit të pronave, ja si do të llogaritet vlera e përfitimit, përfshihet edhe norma e inflacionit

0
323

Agjencia e Trajtimit të Pronave ka nisur të zbatojë një skemë të re të kompensimit të pronave. Gjykata e Strasburgut i ka lënë një sërë detyrash Agjencisë së Pronave në lidhje me kompensimet, që duhet të zbatohen brenda këtij viti dhe në mes tyre është rikompensimi jo më pak se 10% të vlerës totale të pronave, që nuk iu është dhënë vendimi i duhur. Ndërkohë, nuk është vetëm kaq, Agjencia e Trajtimit të Pronave është e detyruar që të bëjë indeksim sa norma bazë e inflacionit për vlerën e kompensimit. Sipas të dhënave të Agjencisë, indeksimi në bazë të normës së inflacionit do të fillojë që nga momenti kur pronari plotëson aplikimin për rishqyrtim të vendimit deri në momentin që përmbyllet kompensimi për të. “Vendimet e kompensimit që do të ekzekutohen do të indeksohen me normën e interesit nga momenti i plotësimit të dokumentacionit deri në momentin e ekzekutimit. Çdo vendim përfundimtar do të rillogaritet duke i dhënë dhe indeksimin e normës së interesit nga momenti i plotësimit të dokumentacionit sipas formularit deri në momentin e ekzekutimit. Pra, çdo vendim kompensimi, përveç rivlerësimit me minimumin e 10% të vlerës reale edhe do të indeksohet me normën e inflacionit që nga momenti i marrjes së tij”, sqaron ATP. Konkretisht, bazuar në normën e inflacionit sot, pronarëve do t’u indeksohet me 1.9% vlera e kompensimit deri në momentin që ata do të marrin kompensimin final.

Ja sa përfitojnë

Indeksimi në bazë të inflacionit lidhet me kërkesën e GJEDNJ për kompensimin më shumë se 10% të vlerës së pronës për disa vendime. Atëherë rrjedhimit indeksim do të përfitojnë ata pronarë që preken nga vendimi i lartpërmendur. Sipas të dhënave të publikuara nga Agjencia e Trajtimit të Pronave, në total do të bëhet rishikim i vendimeve dhe indeksim shtesë për mbi 10 mijë pronarë. “Agjencia e Trajtimit të Pronës që njofton se brenda afatit 3 mujor të vitit 2021 është bërë përllogaritja e vlerës financiare me shtimin e saj me 10% të vlerës sipas zërit kadastral aktual sipas rekomandimeve të GJEDNJ. Nga këto ndryshime do të preken afërsisht 10,120 subjekte që vlera fillestare e vlerësimit do të rishikohet me qëllim vetëm për të përfituar më tepër”, thuhet në njoftimin e ATP. Ndër të tjera bëhet me dije se, fatura financiare që do të përfitojnë më tepër pronarët parashikohet të afërisht 180 milionë dollarë. Kjo vlerë e shtuar financiare mbetet dhe mbulohet brenda fondit total prej 50 Mld lekë të parashikuar në ligjin nr. 133/2015.2. Nga ana tjetër, vendimet e kompensimit që do të ekzekutohen do të indeksohen me normën e interesit nga momenti i plotësimit të dokumentacionit deri në momentin e ekzekutimit. Ndërkohë që ndryshime të tjera në përllogaritjen e kompensimit të pronarëve pritet të vijnë në bazë të ndryshimeve të bëra vitin e shkuar nga Gjykata Kushtetuese në disa nene të ligjit për kompensimet.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here