Bernard Zotaj tregon bëmat e tradhtisë së Mit’hat Frashërit, nga bashkëpunimi me turqit e fashistët, te mbrojtja e masakrës së 4 shkurtit 1944

0
474

Si u gatua në jetë Mit’hat Frashëri

Në veprimtarinë e tij praktike Mit’hat Frashëri ka cënuar dinjitetin e patriotit të madh shqiptar, Abdyl Frashërit. Në jetë Mit’hat Frashëri ka bërë aventura dhe dredhira të shumta politike. Kështu në vitin 1908, u bë një nga përkrahësit e doktrinës reaksionare të xhonturqve, që synonin të shpallnin gjithë popujt e Perandorisë Turke “osmanllinj”. Në kundërshtim me idetë e të gjithë patriotëve shqiptarë, ai u bënte thirrje shqiptarëve që ishin ngritur në kryengritje kundër Perandorisë Turke, për liri dhe pavarësi, që t’i shkatërronin armët dhe t’i bënin vegla pune… Poeti ynë Çajupi e ka ironizuar tek Klubi i Selanikut: “Po si nuk the një fjalë për Shqipërinë, të plastë koka, o beu ynë?!”.

Mit’hat Frashëri mori pjesë në aktin e madh historik, Shpalljen e Pavarësisë më 28 Nëntor 1912 dhe qeveria e Ismail Qemalit e zgjodhi ministër të Punëve Botore, por shpejt e braktisi atë. Ndërsa në Qeverinë e Princ Vidit që mori postin e ministrit të Postave dhe Punëve Botore, nuk qëndroi gjatë. Mit’hat Frashëri nuk ishte për popullin e thjeshtë, por për bejlerët. Mit’hat Frashëri mund të ketë merita në fushën e letrave, të cilat kanë ardhur si rezultat i prejardhjes së tij familjare, por këto merita i varrosi me tradhtinë e tij, me qëndrimet e tij antishqiptare e antikombëtare gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe pas saj. Çdo meritë bëhet zero përballë tradhtisë ndaj atdheut e popullit.

Diskutimi i përsëritur shpesh kohët e fundit për Mit’hat Frashërin i shëndosh interpretimet dhe e vendos në vendin e tij, duke qëndruar kryetar i organizatës së Ballit Kombëtar. Periudha e Luftës së Dytë Botërore në vendin tonë është parë me shumë kujdes dhe përsëri duhet parë, pasi ka interpretime të ndryshme në kohë e sotme. Por edhe argumentet që sjellin përfaqësuesit e organizatës së Ballit Kombëtar sot, janë fjalë të përgjithshme, ka sharje për komunistët, s’kanë e s’flasin me dokumente, flasin për bashkëpunim me jugosllavët kuturu dhe fantazojnë etj.

Roli i Mit’hat Frashërit në luftë

Dëmin më të madh popullit shqiptar dhe atdheut ia bëri me qëndrimin gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Mit’hat Frashëri nuk pranoi të merrte pjesë në Konferencën e Pezës, më 16 shtator 1942, i ftuar si pinjoll i një familje të madhe, e cila ishte dhe është krenaria e kombit shqiptar, po edhe si nacionalist. Dihet nga të gjithë dhe pranohet se Konferenca e Pezës e radhiti Shqipërinë në anën e duhur të popujve përparimtarë që luftonin kundër nazifashizmit. Ai iu kundërvu vendimeve historike të Konferencës së Pezës, e cila kërkonte as më shumë e as më pak, bashkimin e popullit pa dallim feje, krahine e ideje, në një front lufte kundër pushtuesve fashistë. Ai krijoi Organizatën e Ballit Kombëtar. Dhe kjo organizatë duket që në emërtim “Balli” i kombit. Pra jemi ne bejlerët dhe agallarët që duhet të jemi gjithmonë në drejtim dhe qeverisje të kombit. Në qendër të programit të BK, parashtroi pikëpamje që binin ndesh me situatën e ndezur të luftës në Shqipëri e më tej, pritshmërinë, si dhe ishte me pikëpamjen kundër pjesëmarrjes së rinisë në luftë, për të ruajtur brezin e ri. Dhe më e fundit parulla që kishte BK “Shqipëri e shqiptarëve, vdekje tradhtarëve”. Po kush ishin tradhtarët ata që luftonin në male, apo ata që hëngrën dhe drejtuan me pushtuesin? Ai u bashkua me nazifashistët dhe iu kundërvu Frontit Antifashist Nacionalçlirimtar, ku flasin faktet e dokumente të shumta në arkiva, por dhe në mjaft seri kujtimesh të bashkëpunëtorëve të tij si dhe të huajve që u gjendën në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Më 17 dhjetor 1942, kryeministri Mustafa Kruja, e kur shteti shqiptar ishte nën pushtimin fashist, iu deklaroi luftë Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Pra, rreshtohet direkt në frontin profashist, kundër Koalicionit të Madh Antifashist, koalicion që atë ditë njohën luftën e popullit shqiptar. Mit’hat Frashëri ngarkoi në marsin e vitit 1943 Ali bej Këlcyrën të nënshkruante Protokollin që njihet me emrin “Protokolli Dalmaco-Këlcyra”, ku zotohej dhe bënte thirrje të mos luftonin kundër italianëve. T’u shërbejë italianëve deri në fund dhe në qoftë se ata mposhten, atëherë të ndërrojë karrige, thoshte Ali Këlcyra, një nga eksponentët kryesorë të Ballit Kombëtar, ku “sa të jenë italianët në Shqipëri, ju duhet të më ndjekin mue dhe, në rast se lufta fitohet prej aleatëve, dilni ju në krye të situatës dhe unë do të vij pas jush”.

Mithat Frashëri me Ali Këlcyrën shkuan në Veri dhe organizuan në Lurë “Kuvendin e 40 krerëve të maleve” ku vendosën që këmbë partizani të mos lejohej të shkelte në Veri. Mit’hat Frashëri ishte kundër marrëveshjes së Mukjes, ku theksonte se “me komunistët nuk duhet të pezullojë propagandën tonë dhe të lejojë ata të shtojnë veprimtarinë e tyre, por të luftojmë për kapjen e pushtetit politik me rastin e kapitullimit të mundshëm dhe të tërheqjes së ushtrisë italiane”. Mit’hat Frashëri me organizatën e Ballit Kombëtar në korrik 1943 porosiste forcat e ballit që asnjë pushkë të mos shkrehej kundër nazistëve gjermanë, por të priteshin si miq. Ai i udhëzonte të gjithë njësitet e Ballit Kombëtar se, “me të arritur kjo qarkore të pezullohet çdo operacion luftarak kundër forcave gjermane tash për tash”. Ndërsa më 7 tetor 1943 ai u drejton të vetëve një qarkore në të cilën thuhet fare hapur: “Çetat balliste të mos provokojnë aksione luftarake kundër tyre, por të ruejnë pozicionet dhe të mos i lanë çetat e Nacionalçlirimtares me ba aksione të tilla në zonat balliste…”. Një muaj më vonë, pra në nëntor të atij viti, Mit’hat Frashëri i hodhi forcat e veta ushtarake të qarqeve Berat, Elbasan e Korçë në sulm të përgjithshëm kundër forcave partizane në Jug. Ishte pikërisht koha kur në këto zona nazistët ndërmerrnin operacionin e egër të Dimrit 1943-1944, me qëllim që të shuanin Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe të zhduknin udhëheqjen e saj.

Balli Kombëtar dhe Mit’hat Frashëri, që e udhëhoqi atë organizatë drejt tradhtisë, bashkëpunoi me pushtuesit, bile dhe në mbrojtjen dhe në dijeni të plotë për një fushatë terrori kundër popullit të tij, siç bëri në rastin e masakrave të 4 shkurtit 1944 në Tiranë. Tradhtia e Mit’hat Frashërit arriti kulmin në prag të çlirimit të Shqipërisë. Si politikan dredharak e ndjeu kapitullimin e ushtrisë naziste dhe fitoren e Frontit NÇ. Ai po shikonte se Ushtria Nacionalçlirimtare po e çlironte vendin dhe u përpoq me çdo kusht të merrte pushtetin. Këtu gjeti rrugën e tradhtisë. Ai iu drejtua shovinistëve grekë dhe u kërkonte përfundimin e një marrëveshje me Greqinë. Mit’hat Frashëri iku në Itali, në prag të çlirimit, ai u konsiderua atje, si kriminel lufte dhe u arrestua, por u mbrojt nga miqtë e tij. Sa për dijeni Balli Kombëtar historinë e tij e la rrugëve, se ashtu punoi. Dhe kur në një studim të bërë nga Akademia e Forcave të Armatosura për organizimin luftarak të këtyre forcave gjatë LANÇ-it, nuk kanë marrë mundimin ta lexojnë dhe jo më ta botojnë…

Misionet ushtarake i shkojnë më afër të vërtetës

Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare e kanë vlerësuar dhe aleatët tanë të luftës. Aleatët tanë të Koalicionit Antifashist bënë çmos për t’i hedhur në luftë organizatat e Ballit dhe Legalitetit, bile u hodhën nga ajri edhe furnizime ushtarake dhe veshmbathje, por ata ishin kundër kësaj pjesëmarrje dhe u vunë direkt edhe kundër aleatëve dhe mendonin vetëm për pushtetin e ardhshëm. Me gjithë përpjekjet që bënë aleatët anglo-amerikanë për t’i hedhur në luftë Ballin Kombëtar dhe Legalitetin, ata nuk u përfshinë në luftë dhe me pushtimin nazist ata u bënë bashkëpunëtorë të gjermanëve, u vunë në pararojë të operacioneve naziste kundër Lëvizjes duke bërë krime kundër popullit të tyre.

Gjenerali Dejvis u treguar më objektiv dhe më i prerë për qëndrimin që duhej mbajtur ndaj forcave balliste dhe zogiste. Më 17 dhjetor 1943, i shkruante qendrës së tyre se duhet “të demaskohet Këshilli i Regjencës kolektivisht dhe çdo anëtar i tij me emër, sikurse edhe Balli Kombëtar… Mendoj se qëndrimi i aleatëve, duhet të shpallet botërisht menjëherë, duke e bërë të qartë se kuislingët, tradhtarët dhe ata që nuk luftojnë gjermanët, do të marrin ndëshkimin që u takon dhe në kohën e duhur nga aleatët…”. Misionarët anglezë në Shqipëri, Xhon Bllok Viliam e Jon Price në kujtimet e tyre, ku u janë referuar dokumenteve te Forien Ofise, shprehen: “Ballistët ishin një thes miks i kriminelëve shqiptarë që u ngjanin ustashëve të Serbisë. Ata krijonin terror dhe shkaktonin dëme kudo që shkonin”. Ka dhe të tjera…

Kujt i shërben përkrahja e tradhtarëve?

Komunistët që u erdhën në pushtet ishin shqiptarë, pavarësisht sistemit që ata përfaqësonin. Lufta e Dytë Botërore në Shqipëri vajti gati 80 vite që është e studiuar në të gjithë gjerësinë dhe thellësinë e saj. Edhe sot ajo përsëri po shikohet me kujdes. Por tradhtarët dhe ata që u vunë në shërbim të pushtuesit, kolaboracionistët nuk kanë vend nderi në këtë histori. Ata vetë e vendosën njollën e turpit. Lufta për Çlirimin e Shqipërisë u bë nga vetë shqiptarët, pa ndihmën e aleatëve dhe të kërkujt tjetër. Kush fut pyka në histori dhe sajon jo jugosllav e jo rus, të kuq ato jeshil, janë po njëlloj si tradhtarët e djeshëm. Deri tani misionet ushtarake që ishin pranë shtabeve partizane, balliste e legaliste etj., nuk kanë deklaruar dhe thënë një gjë të tillë, se luftën e udhëhiqnin jugosllavët siç duan ta trumbetojnë me të madhe, por shqiptarët. Këtë, sot me forcë e thonë pinjollët e tyre dhe ata që i kanë për zemër bejlerët dhe borgjezinë. E thonë ata që këto 30 vite e zhvatën popullin dhe në sajë të luftës kundër komunizmit kemi arritur në këtë derexhe, ku tradhtarët që i përzumë me plumb së bashku me pushtuesin, i presim me lule dhe iu bëjmë nderime. Sytë në ballë populli i ka dhe nuk ka parë në asnjë vend të botës që tradhtarëve dhe kolaboracionistëve t’u ngrihen buste e t’u bëhen nderime. Historia nuk mund të shkojë mbrapsht. E djathta dje hëngri në një çanak me nazifashistët, po qeveria e majtë ç’ka që i përkrah tradhtarët? Mos po i bën qejfin Europës, po ajo i ka zgjidhur problemet e saj. Historinë e ka fiksuar ashtu siç edhe u bë lufta. Kurse sot pinjollët e tradhtarëve nën maskën e demokracisë, duan që ta ndryshojnë historinë, sepse ata duan të jenë të parët dhe jo populli që u ngrit masivisht në luftë. Ndërsa qeveria e majtë në qëndrimin e saj ndaj luftës, nuk ka mbrojtje, vetëm slogane të përgjithshme, simbolet e luftës janë në mëshirë të fatit… Kjo paraqet rrezikshmëri se sa qëndrimi i hapur ku ka zëra për të ulur kokën veteranët. Por fituesi nuk ul kokën, kokën duhet ta ulin tradhtarët. Ndaj dhe kalemxhinjtë e një instituti me pagesë, organizojnë konferenca shkencore, kanë gjetur shesh dhe po bëjnë përshesh, nxijnë Historinë e LANÇ-it, dhe ngrejë në piedestalin e lavdisë bëmat e tradhtisë së tyre. Por nuk na lë “Epopeja e Ballit Kombëtar”.

Punoi: Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here