Ndihmës Sekretari i Shtetit për Europën, Philip Reeker ka “poshtëruar” presidentin Ilir Meta. Dy ditë më parë gjatë vizitës zyrtare në Shqipëri, zyrtari i Departamentit Amerikan të Shtetit zhvilloi takime veçmas me kryeministrin Edi Rama, kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ministrat Etilda Gjonaj, Olta Xhaçka dhe Niko Peleshi, si dhe me emrat e gjyqtarëve dhe prokurorëve të ngelur në veting, ndërkohë që shmangu një takim me presidentin Ilir Meta. Nga ana e ambasadës u bë me dije se zoti Reeker nuk e takoi presidentin Meta për shkak të axhendës së ngjeshur që zyrtari amerikan kishte në vizitën disa orëshe në Tiranë. Por duket se diplomati amerikan e ka shmangur qëllimisht një takim me kreun e shtetit, pasi dje është zbuluar se amerikanët nuk e duan Ilir Metën. Më konkretisht, zyrtari Reeker mes shumë takimeve që ka zhvilluar, ka pasur një takim edhe me Princin Leka Zogu, duke e zëvendësuar Metën me pasardhësin e monarkut, Ahmet Zogu.
SHBA interesohet më shumë për monarkinë se sa Metën
Ka qenë vetë trashëgimtari i fronit mbretëror, Princ Leka, i cili e ka bërë të ditur lajmin përmes një statusi në rrjetet sociale, ndërsa thekson se takimi me diplomatin amerikan është zhvilluar në rezidencën e familjes mbretërore në Tiranë, ku të pranishëm ishin vajza dhe bashkëshortja e tij, si dhe ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Yuri Kim. “Dje patëm kënaqësinë të prisnin në rezidencën e Familjes Mbretërore Ndihmës Sekretarin e Shtetit në detyrë për Çështjet Europiane Dhe Euroaziatike, Ambasadorin Z. Philip T. Reeker, së bashku me Ambasadoren e SHBA, Yuri Kim. Takimi u zhvillua në një atmosferë tejet miqësore duke reflektuar miqësinë e palëkundur tradicionale të SHBA-s me Shqipërinë. Gjatë bashkëbisedimit me personalitetet amerikane ndihej preokupimi dhe dëshira e madhe për përmirësimin e gjithanshëm të jetës politike, ekonomike dhe sociale të vendit tonë”, shkruan Princi Leka. Por kjo lëvizje e Ndihmës Sekretari i Shtetit për Europën, Philip Reeker, i cili gjatë vizitës në Tiranë preferoi të mos takonte Metën, duke e zëvendësuar kështu presidentin me Princin Leka, tregon se SHBA interesohet më shumë për monarkinë se sa kreun e shtetit.
Reeker takon edhe sfidanten e Bashës
Por takimi me Princ Lekën nuk ishte e vetmja surprizë që u zbulua dje, pasi zyrtari i Departamentit Amerikan të Shtetit ka takuar edhe sfidanten e Lulzim Bashës për kreun e Partisë Demokratike, Edith Harxhi. Ka qenë kjo e fundit që e ka zbuluar përmes një statusi në rrjetet sociale se të mërkurën ka zhvilluar një takim me zotin Reeker. “Dje pata një takim shumë të mirë me mikun tim Asistent Sekretarin e Shtetit të SHBA-ve Ambasadorin Philip Reeker. Me Ambasadorin Reeker si një nga njohësit më të mirë të Ballkanit që prej Rambujesë dhe deri më sot, biseduam për përkushtimin e SHBA-ve në Shqipëri për shtet të së drejtës, luftën kundër korrupsionit, nevojën për demokraci funksionale dhe investimet amerikane në vend”, shkruan Harxhi. Pra, duket qartë që amerikanë nuk e duan presidentin Meta, sikundër e tregon fakti që atij nuk iu rezervua takim me zotin Reeker.









































