Gazetari Artan Hoxha u shpreh në MCN TV se krimi i organizuar është i lidhur gjithashtu dhe me lojërat e fatit.
Sipas Hoxhës krimi i organizuar ka qenë i lidhur me lojërat e fatit në Shqipëri që në kohën kur ato ishin të legalizuara, duke u kontrolluar atyre një pjesë të mirë të fitimeve.
Ndërkohë sipas tij, tani krimi i organizuar është duke kontrolluar të gjitha fitimet e lojërave të fatit.
Por, në ndryshim me kontrollin që ushtronte kur ato ishin të legalizuara, shteti atëherë fitonte 90 milionë euro në vit dhe kishte 12 mijë të punësuar te lojërat e fatit, ndërsa tani shteti nuk ka asnjërën nga të dyja.
Teksa tregoi një eksperiencë personale, Hoxha tha se shefat e komisariateve, në kohën kur lojërat e fatit ishin të legalizuara, ishin të lidhur me pronarët e lojërave të fatit ku merrnin 2000 euro në këmbim të informacioneve të vlefshme për të lehtësuar punën.
“Po të them një element të disa viteve më parë. Në Tiranë ishin ende lojërat e fatit pa u mbyllur dhe më rezultonte që krimi i organizuar ishte bërë pjesë e lojërave të fatit.
I kontrollonte një pjesë të mirë të fitimeve që vinin nga lojërat e fatit.
Sot i kontrollon të gjitha. Në atë kohë që ishin të legalizuara kontrollonin vetëm një pjesë, sot i kontrollon të gjitha.
Të gjitha bastet në Shqipëri janë me celular. Ku paguajnë njerëzit? Ku luajnë? Kush i kontrollon sot?
Kur kishim lojërat e fatit shteti merrte 90 milionë euro në vit taksa dhe kishte 12 mijë të punësuar, të regjistruar, që u paguheshin siguracionet.
Sot nuk vjen as ky 90 milionëshi i eurove që e marrin ata direkt, dhe këta 12 mijë punëtorë kanë humbur vendin e punës. Por në celulare vazhdojnë bastet.
Çfarë bënin ata? Dal në televizor dhe them 5 nga 6 shefat e komisariateve të Tiranës më rezultonin që merrnin një pagë mujore fikse nga një kompani bastesh ilegale në atë kohë (pa u mbyllur lojërat e fatit).
Sa mbaroj emisionin më merr në telefon ai që kishte kompaninë dhe më thotë “ishe i pasaktë, edhe ai i 6 është në bordero”.
Këta paguheshin 2000 euro në muaj për informacion dhe lehtësira për të punuar. Ndaj sot shohim që këta ish-oficerë jetojnë në rezidenca.”, u shpreh Hoxha.







































