Google search engine
Home Aktualitet “Dikush ju ka lënë trashëgimi”, shkatërrohet rrjeti i mashtruesve në internet, ja...

“Dikush ju ka lënë trashëgimi”, shkatërrohet rrjeti i mashtruesve në internet, ja si morën mbi 100 mijë euro duke futur në kurth qytetarët

0
269

Shumë prej nesh janë përballur me mesazhe apo emaile, ku persona të paidentifikuar shprehen se një i afërm i juaji ka vdekur dhe ka lënë trashëgimi për ju. Ata fillimisht kërkojnë para për procedurat. Por e gjitha kjo është një skemë e pastër mashtrimi. Policia e Shtetit ka goditur dje një rrjet të sofistikuar, i cili operonte në këtë mënyrë. Me urdhër të Prokurorisë së Tiranës është arrestuar një 30-vjeçare shqiptare dhe 2 shtetas të huaj të akuzuar për mashtrim kibernetik. Personat në fjalë kanë mashtruar shumë individë dhe kanë arritur të përfitojnë deri në 100 mijë euro. Shefi i Njësisë së Hetimit Kibernetik, Hergis Jica në një deklaratë për mediat dha detaje nga operacioni në fjalë. Sipas tij, gruaja e arrestuar kishte vendosur në dispozicion të disa shtetasve të huaj, llogarinë e saj bankare, me qëllim mashtrimin e shtetasve shqiptarë online. Ajo ka dërguar dhe kartën e saj bankare, së bashku me kodin përkatës, jashtë territorit të Shqipërisë për të tërhequr para nga ata. 30-vjeçarja merrte 10% të shumës monetare duke arritur të përfitojë 100 mijë euro nga personat që u kthyen në viktimë të mashtrimit të saj. “Një person që pretendon të jetë avokat nga jashtë shtetit ose pretendon të jetë ndonjë nëpunës tjetër ligjor ju dërgon një mesazh nëpërmjet postës elektronike (e-mail), një mesazh në rrjete sociale ose një letër. Ata ju tregojnë se një person i pasur nuk është më dhe ka lënë pas një shumë të madhe parash duke përmendur dhe emrin tuaj. Mashtruesit do të theksojnë nevojën për fshehtësi dhe do t’ju paralajmërojnë të mos i tregoni askujt tjetër në lidhje me marrëveshjen. Për t’ju nxituar në kryerjen e veprimeve dhe në të njëjtën kohë të ndërmerrni një vendim të nxituar, ata gjithashtu do të theksojnë nevojën për të vepruar shpejt duke vendosur dhe afate në raste të caktuara. Sidoqoftë, nuk ka asnjë trashëgimi dhe personi që ju kontakton nuk është avokat ose nëpunës ligjor, ai thjesht po krijon një terren për të arritur qëllimin e tij, pra të mashtrojë personin që po komunikon”, tha ai.

Skema e mashtrimit

Më tej Jica tregoi se çfarë ndodh. Sipas tij, nëse ka një përgjigje ndaj mashtruesve, ata do t’ju kërkojnë të paguani tarifa të ndryshme, si për shembull: taksat, tarifat ligjore, tarifat bankare etj., në mënyrë që ata të mund të lirojnë trashëgiminë ekzistuese, me qëllim që ju ta zotëroni atë. “Sa herë që bëni një pagesë, mashtruesit do të nxjerrin arsye pas arsyeje se përse trashëgimia nuk mund të paguhet nëse ju nuk do të bëni një pagesë tjetër. Nëse kërkoni që këto pagesa të merren nga trashëgimia që ju po përfitoni, ata do t’ju japin gjithashtu arsye pse tarifat nuk mund të merren nga trashëgimia juaj dhe pse duhet të paguhen paraprakisht. Nëse hezitoni të paguani një tarifë ose deklaroni se nuk mund ta përballoni atë, mashtruesit do t’ju bëjnë presion duke ju kujtuar se sa afër jeni për të marrë një shumë parash shumë më të madhe se tarifat që keni dorëzuar tashmë dhe nga sa keni paguar tashmë. Mashtruesit mund të kërkojnë gjithashtu detajet tuaja të bankës në mënyrë që ata të mund të paguajnë trashëgiminë direkt në llogarinë tuaj bankare. Por, nëse dorëzoni detajet e bankës tuaj, mashtruesit mund t’i përdorin ato për qëllime të tjera kriminale”, tha kryekomisari. Ai bëri me dije se hetimet nisën pas kallëzimit të bërë nga një bankë e nivelit të dytë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here