Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka mbajtur dje një pritje në kuadër të Ditës së Pavarësisë. Përmes një ceremonie, ambasadorja Yuri Kim ka vlerësuar marrëdhëniet mes dy vendeve, ndërsa tërhoqën vëmendje në këtë takim të ftuarit. Edhe pse presidenti Ilir Meta u injorua nga zyrtari i DASH Philip Reeker, ai dje ka qenë i pranishëm në ceremoni. Meta ishte i shoqëruar nga Shefi i Kabinetit, Edmond Panariti. Po ashtu i pranishëm ishte kreu demokrat Lulzim Basha, i cili shoqërohej nga Gazment Bardhi dhe nga Jorida Tabaku. Mazhoranca përfaqësohej nga kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi, kreu i grupit të PS, Taulant Balla, si dhe disa ministra. Ajo që ra në sy ishte mungesa e kryeministrit Edi Rama. Sipas burimeve, arsyeja e kësaj mungese është sepse shefi i qeverisë ka udhëtuar drejt Ohrit, ku do të mbahet një Samit, në të cilin do të marrë pjesë edhe zyrtari i DASH, Philip Reeker. Nga ana tjetër ajo që bëri përshtypje është se Meta dhe Basha kanë qenë larg njëri-tjetrit dhe të distancuar. Pranë Metës ka qëndruar Gramoz Ruçi. Po ashtu edhe Taulant Balla ka qenë i distancuar prej tyre. Gazeta e tha pak ditë më parë se një distancim ishte vënë re mes Bashës dhe Metës edhe në një pritje që mbajti Ambasada e Britanisë së Madhe. Pas zgjedhjeve të 25 prillit duket se raportet e tyre nuk janë më aspak si dikur. LSI akuzon PD për disfatën, ndërsa po ashtu dhe demokratët nuk janë fare të kënaqur me punën e aleatëve.
Qëndrimi i ambasadores
Ndërkohë ambasadorja në fjalën e saj vlerësoi marrëdhëniet mes dy vendeve. “Ndërsa festojmë ditëlindjen e SHBA dhe 30 vjetorin e marrëdhënieve SHBA-Shqipëri, të vendosim të mbrojmë dhe ripërtërijmë demokracinë. Për të kujtuar aspiratat e atyre që shpallën pavarësinë qoftë në 1776 në Filadelfia apo në 1991 në sheshin “Skënderbej”. Dhe gjithashtu të biem dakord që ne të bëjmë rolin tonë në bërjen këtyre aspiratave më të vërtetë për brezin e ardhshëm”, tha ambasadorja Yuri Kim në takim. Në fjalën e saj, ambasadorja Kim, prezantoi Dean. Dea është një e re shqiptare, e cila është e angazhuar në aktivitetet e Ambasadës Amerikane në Tiranë që në moshën 8-vjeçe. Ajo në shtator do të nisë studimet në Pennsylvani. Kim tha se anëtarët e universitetit janë krenare për Dean, pasi janë të bindur se e ardhmja e Shqipërisë është e ndritur.
“Me sytë e përqendruar fort drejt së ardhmes, ju kërkoj të mirëprisni, Dea Zhanin, që do të flasë jo vetëm për Shqipërinë, por për të ardhmen, të ardhmen tonë. Ju ndoshta s’keni dëgjuar ndonjëherë për Dean, por do të dëgjoni për të, ajo erdhi për herë të parë në këndin amerikan në Tiranë, kur ishte vetëm 8 vjeçe. Në vitin 2019 ekipi i Deas shkoi në Luginën e Silikonit, si përfaqësuese e Shqipërisë dhe fitoi sidën globale. Këtë vjeshtë Dea do t’i bashkohet studentëve të vitit të parë të universitetit të Pennsylvania, një universitet që kamë dalë dhe unë. Ata janë krenarë për të, sepse e ardhmja e Shqipërisë është e ndritur”, tha Kim.









































