Mbrëmjen e së shtunës, Italia jo vetëm vuajti shumë në 1/8 e finales së Kampionatit Europian, por edhe mund të ishte eliminuar nga Austria nëse goli i Arnautoviçit do të konsiderohej i rregullt. Madje Austria pati rastet e saj dhe luajti si e barabartë ndaj një përfaqësueseje të madhe si ajo italiane dhe mediat sportive në Europë i kanë thurur elozhe kombëtares austriake për atë performancë të shkëlqyer dhe një loje 120 minutëshe me dinjitet dhe kualitet të lartë. Por pak e dinë sot, përfshi dhe mjedisin sportdashës shqiptar që në këtë sukses të Austrisë kontribuon edhe një shqiptar, i cili prej disa vitesh është pjesë e programit të përgatitjes fizike në ekipet kombëtare të moshave, madje e drejton këtë sektor, dhe dëshmia më e qartë e kësaj Austrie në Europian është prania e katër futbollistëve të formacionit titullar që kanë dalë nga moshat (që prej U-16) e për këtë krahas të tjerëve, meritë ka dhe shqiptari Dritan Baholli, projekti i të cilit ka gjetur mbështetje dhe ka dhënë efekte mjaft pozitive. Lojtarët ishin Florian Grillitch, Marsel Sabitzer, Louis Schaub dhe Christopher Trimmel. Që ky efekt ka qenë prodhimtar dhe sfidues deri ndaj përfaqësueses së Italisë e tregon fakti se vetë trajneri Roberto Mançini tha pas ndeshjes se ishte përballur me një skuadër shumë të përgatitur fizikisht, mjaft të disiplinuar dhe një kundërshtar shumë i vështirë. Dhe kur komplimentet i merr nga Mançini tregon se ke ndërtuar një skuadër vërtet cilësore dhe për këtë ka meritë edhe Baholli ynë. Lexuesit janë njohur pak javë më parë me këtë personazh të niveleve akademike, lektor në Universitetin Sportiv të Vjenës, drejtues i përgatitjes fizike të kombëtareve të moshave të Austrisë, nëpërmjet një interviste, ku ai shpalosi fragmente nga jeta e tij profesionale. Baholli përfaqëson një vlerë shqiptare në futbollin austriak, nga ato vlera për të cilat ka nevojë aq shumë sot futbolli shqiptar.









































