Google search engine
Home Politike Yuri Kim mesazh politikës se reforma në drejtësi nuk ndalet, paralajmëron goditje...

Yuri Kim mesazh politikës se reforma në drejtësi nuk ndalet, paralajmëron goditje të bujshme nga SPAK në ditët në vijim

0
205

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë shtuar presionin ndaj politikës dhe drejtësisë për zbatimin e reformës në drejtësi dhe nisjen e hetimeve në nivele të larta. Ambasadorja Yuri Kim ditët e fundit ka bërë një sërë reagimesh të forta, ku duket qartë se po përçon mesazhe për të gjitha palët. Fillimisht ajo reagoi për ankimin e vendimit ndaj kryeprokurores së Tiranës, më pas kërkoi që të mos ketë më tallje me drejtësinë, ndërsa dje ka zbritur në SPAK duke takuar anëtarët e saj. Kim ka takuar dje Altin Dumanin, ku e ka bërë të qartë se SPAK në ditë në vijim do të japë rezultat edhe më të forta. “Takova Altin Dumanin, shefin e Seksionit të Krimit të Organizuar të SPAK, sot për të shprehur vlerësimin për ndjekjet e shumta që kanë rezultuar me burgim dhe konfiskim të pasurisë. SPAK do të japë më shumë dhe më shumë rezultate që tregojnë se askush nuk është mbi ligjin”, tha Kim. Sinjalet janë tashmë, të qarta se SHBA nuk do të lejojë asnjë pazar me reformën në drejtësi, ndërsa nga ana tjetër duket se presioni ndaj SPAK është rritur për të mos toleruar si krimin e organizuar, ashtu dhe korrupsionin në nivel politik.

Qëndrimet e SHBA

Më 23 qershor, ambasadorja amerikane lëshoi mesazhe shumë të forta. E pranishme në një konferencë të organizuar nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit për monitorimin e punës së Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe gjyqësorit përgjatë një viti, ambasadorja tha se si KLGJ, po ashtu edhe KLP, duhet që të marrin masa, për të përmbushur boshllëqet në sistemin e drejtësisë. Po ashtu dërgoi mesazhe dhe për politikën. “Le të ndalojmë së shtiruri dhe të çojmë reformën përpara. E kuptoj që puna e gjyqtarëve nuk është e lehtë, por është e rëndësishme. Nuk mund t’ia lejojmë vetes të mos kemi sukses në këtë reformë. KLGJ ashtu edhe KLP duhet të gjejnë zgjidhje për boshllëqet ekzistuese në burime. Publiku nuk mund të presë drejtësinë deri në përfundim të vetingut. Këshillat duhet të veprojnë tani për të vlerësuar nevojat e sistemit përmes hartës gjyqësore dhe duke i mbajtur magjistratët në llogaridhënie për veprimet e tyre përmes vlerësimeve etike dhe profesionale. KLGJ duhet të përmbushë detyrimin e saj për t’i dhënë SPAK-ut një gjykatë efektive duke promovuar gjyqtarë që kanë kaluar vlerësimin kalimtar, sa më shpejt të jetë e mundur”, tha ajo. Ndër të tjera Kim u shpreh se gjyqtarëve duhet që t’u kërkohet llogari nga ana e Këshillave. Ajo bëri me dije, se po ashtu duhet që të respektohen edhe procedurat kohore, të cilat janë të vendosura në ligj. “Këshillat duhet të vendosin standarde, në mënyrë që t’u kërkojnë llogari gjyqtarëve dhe të miratojnë një Kod Etike për gjyqtarët, prokurorët dhe ata vetë. Dhe së fundmi, Këshillat duhet të udhëheqin me anë të shembullit dhe të ndjekin rregullat e tyre duke respektuar procedurat dhe afatet kohore të përcaktuara me ligj”, deklaroi Kim.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here