Merkato ka marrë “zjarr” gjatë këtyre ditëve ndër klubet e kategorisë Superiore dhe përveç Partizanit ku ka shumë hyrje dalje, duket se nuk qëndrojnë pas edhe Tirana e Kukësi,q ë kanë pretendime të kthehen tek titulli kampion. Madje këto dy skuadra po ndjekin njëra-tjetrën, me shpresën se zhvillimet e brendshme mund të shfrytëzohen për t’u marrë lojtarët kryesorë. Kjo praktikë është e njohur në radhët e klubeve tona dhe duket se mes Tiranës dhe Kukësit ka shenja për “shkëmbim” lojtarësh. Krejt së fundmi, Tirana i “rrëmben” Kukësit një nga elementët më të spikatur të sezoneve të fundit. Klubi bardheblu njoftoi se ka arritur marrëveshjen me lojtarin Vesel Limaj, i cili ka nënshkruar kontratë 2-vjeçare me kryeqytetasit. 24-vjeçari pritet t’i bashkohet shumë shpejt skuadrës për të nisur stërvitjen në kuadër të përgatitjeve për sezonin e ri. Limaj nga viti 2018 ka qenë pjesë e skuadrës verilindore, me të cilën është aktivizuar në total në 93 ndeshje të Superiores dhe ka shënuar 13 gola. Shtatë finalizime të tij i përkasin sezonit të fundit, por edhe pse në aspektin individual kampionati ishte pozitiv për të, Kukësi e mbylli me zhgënjim, në vendin e gjashtë, pa mundur të kualifikohet në Kupat e Europës për herë të parë që nga ngjitja në elitën e futbollit shqiptar. Duhet thënë se Tirana është skuadër e madhe dhe me pretendim4e, por deri tani drejtuesit nuk kanë bërë ende blerje “big”.
Kukësi “peshkon” në Tiranë, por edhe në Maqedoni e kroaci
Klubi i Kukësit po “peshkon” lojtarët që janë të pakënaqur nga ekipet e kryeqytetit si Tirana dhe Partizani, i josh dhe më në fund firmos me ta për sezonin e ri. Por një tjetër pistë ku po “peshkon” Kukësi është tregu maqedonas dhe ai kroat, madje dje erdhi zyrtarizimi i radhës me një futbollit. Në fakt, skuadra kuksiane ka pasur shumë largime, madje dhe lojtarë të cilët kanë spikatur, ndërsa pak minuta më parë ka zyrtarizuar në kanalet e klubit afrimin e sulmuesit Edi Basha, që ka luajtur së fundmi në kampionatin e Maqedonisë së Veriut, me skuadrën modeste të Borec. 27-vjeçari është sulmues i dytë dhe sulmues i linjës së djathtë, ndërsa më parë ka luajtur edhe me Shiroki Brijeg, apo dhe ekipe si: Istra, Zelejzniçar, Koper, Astera Vlachioti e së fundmi Borec, ku ka shënuar edhe 3 gola. Me Kukësin siç bëjnë të ditur vetë verilindorët, ai ka nënshkruar një kontratë 1-vjeçare, e madje duke pasur edhe të drejtën e rinovimit. “Futboll Klub Kukësi njofton se sulmuesi i djathte Edi Baša eshte zyrtarisht futbollist i skuadrës sonë! Futbollisti kroat ka firmosur me klubin nje kontrate njëvjeçare me mundësi rinovimi edhe për një sezon tjetër, duke u bërë kështu futbollisti me i ri në skuadër. Baša vjen te Kukesi nga kampionati i Maqedonisë së Veriut ku sezonin e fundit ka qenë pjesë e skuadrës se Borec në Ligën e Parë maqedonase. Në 11 ndeshje me Borec, sulmuesi i djathtë ka shënuar 3 gola dhe ka asistuar ne 2 të tjerë. Klubi i Kukësit i uron shumë suksese sulmuesit Baša”, shkruan ndër të tjera klubi i Kukësit. Mbetet të shihen hapat e mëtejshëm të Kukësit në merkato, por deri tani, ngjashëm si Tirana, nuk ka blerje të rangut “big”.