Lojtarët e skuadrës përfaqësuese janë në pritje të ofertave serioze dhe që u japin frymëmarrje karrierave të tyre, e këtu është fjala për ata futbollistë që nuk e kanë gjetur ende veten në treg. Ka futbollistë që ecin mirë, i kanë “blinduar” kontratat dhe janë në raporte të mira me klubet, sikurse është fjala pëor mbrojtësit Gjimshiti e Ismajli, por edhe të tjerë, kurse lojtarë si Hysaj, Strakosha, Berisha e ndonjë tjetër, janë në pritje të mësojnë destinacionit e reja, edhe pse për shkodranin Hysaj duket se është gjetur zgjidhja pasi ka arritur marrëveshje 5-vjeçare me Lacion. Problemi mbetet tek disa veteranë të përfaqësueses, të tillë si mesfushori Ledian Memushaj dhe sulmuesi Armando Sadiku, të cilët ndodhen në udhëkryq. Sadiku nuk po gjen ritmin e kërkuar prej shumë kohësh dhe aventura e fundit me FC Bolivar në Bolivinë e largët nuk ka shkuar ashtu siç ishte parashikuar, ndërsa Memushaj, pasi pësoi një dëmtim jo të lehtë, vuri në rrezik vazhdimësinë dhe nuk qenë të paktë ata që mendonin e vlonjati do të tërhiqej nga futbolli i luajtur. Gjithsesi, gjasat janë që Memushaj të mbetet pjesë e Peskarës.
Sadiku “peng” i Bolivarit
Sulmuesi kuqezi, Armando Sadiku, për momentin nuk do të lëvizë nga skuadra e FC Bolivarit. Edhe pse dështimi në aktivitetet ndërkombëtare me klubin e tij mund ta afronte largimin nga klubi në fjalë,duket se drejtuesit për momentin nuk e mendojnë një gjë të tillë. Mediat lokale kanë bërë të ditur se tre futbollistët spanjollë dhe Sadiku, të cilët janë “legjionarët” e Bolivar, janë paraqitur dje sipas planit në grumbullim me klubin ndërsa presidenti Marcelo Klaure ka bërë të qartë se nuk do të ngutet për të marr vendime si për ta, ashtu edhe për trajnerin e ri që pritet të emërohet në ditët në vijim. Kështu, për momentin Sadiku do të jetë i detyruar që të luajë në kampionatin bolivian, duke qenë i ndërgjegjshëm se deri në janarin e ardhshëm klubi i tij nuk do të marrë pjesë në aktivitete ndërkombëtare. Një aventurë që nuk shkoi ashtu siç priste sulmuesi shqiptar, i cili kishte shkuar në Amerikën e Jugut për t’u bërë protagonist në futbollin latino-amerikan.
Memushaj, nëse rikuperohet në kohë vijon me Peskarën
Ledian Memushaj ka një emër të respektuar tek Peskara në Serie B italiane. Kjo ndodh për kontributin e tij prej shumë vitesh në këtë skuadër dhe ai ka qenë një lider i padiskutuar i grupit. Por një dëmtim në mesin e sezonit ia preu hovin mesfushorit kuqezi dhe është vënë në diskutim vazhdimësia e tij me Peskarën. Gjithsesi, duhet parë situata kur të rinisë përgatitja për sezonin e ri, pra kur të grumbullohet ekipi dhe kur lojtari ta ketë kaluar dëmtimin. Vetë Memushaj e ka lënë të hapur si mundësi tërheqjen nëse rikuperimi zgjat ose nuk shkon sipas parashikimeve. Shanset janë të mëdha që ai të mbetet pjesë e Peskarës, ku pas tërheqjes nga futbolli mund të marrë një rol teknik në klub. Ndër lojtarët e tjerë të Kombëtares që janë ende në “ajër” mund të përmendim portierin Etrit Berisha, për të cilin thuhet se ka marrë interesimin e Torinos në Serie A.