Një falsifikator lekësh tregon për emisionin “Shqipëria Live” të gjithë procesin e falsifikimit të monedhave të ndryshme dhe deri te këmbimi i tyre në terren.
Ai tregon se ka punuar për pesë vite dhe së është dënuar 2 herë, me 11 dhe 16 muaj burg. Personi në fjalë u shpreh se kartëmonedhat vijnë nga vendet e Europës, transportuesit marrin përqindjen e tyre.
“Jam një pjesë e grupit, asnjëherë nuk bëhet vetëm. Paratë vijnë nga Italia, Bullgaria, varet nga interesi i përqindjes që i sjellin. Dikush është i përcaktuar për të bërë transportin”, tha ai, i cili shtoi se kur njerëzit e kuptojnë se është para fals, bën sikur e kanë gënjyer dhe e gris atë.
Falsifikatori u shpreh se sezoni i verës është i duhuri dhe synojnë zonat e plazhit. Ai tregoi se shokët e tij kanë futur para false edhe në llogari bankare, janë të lidhur me drejtuesit e bankave.
I pyetur se si funksionon, ai tha: “Unë marr përqindjen time dhe bëj punën time. 10 për qind transportuesi, 10-15 % ai që i thyen, edhe me biznesmenë që kanë shumë xhiro lekësh”.
Falsifikatori u shpreh se prerjet e vogla janë më të lehta, të mëdhatë janë më vështirë që të kuptohen nëse janë apo false.
Gjithashtu ai tregoi se paratë false kuptohen nga shkëlqimi i shkronjave, shirit, ngjyra apo edhe kur e mbledh atë.
“Vihet re edhe la cilësia e letrës, e kupton edhe me dorë. Një që nuk ka të bëjë me atë lloj letre nuk e njeh, vetëm makineria e fundit i kap këto para të falsifikuara”, tha falsifikatori, i cili përfundoi duke thënë se edhe kartëmonedhat e reja mund të falsifikohen.









































