Google search engine
Home Sport Merr fund telenovela “Hysaj”, shkodrani për 5 vjet tek Lacio, do të...

Merr fund telenovela “Hysaj”, shkodrani për 5 vjet tek Lacio, do të fitojë 1.7 mln euro në sezon

0
297

Dita e djeshme ishte mjaft produktive në merkato për një numër të madh lojtarësh shqiptarë, pasi ndodhën transferime me vlerë për tregun. Natyrisht, vëmendjen kryesore e mori kapiteni i Kombëtares, Elseid Hysaj, i cili, referuar medieve italiane, ka arritur marrëveshjen me Lacion për të fituar 1.7 mln euro në sezon për vitet në vazhdim. Ky është një lajm i mirë për shkodranin që po vuante jo pak tek Napoli. Duket se vulën përfundimtare këtij transferimi ia ka vënë trajneri Mauricio Sarri, i cili e ka pikë të dobët Hysajn. Edhe Odise Roshi u largua dje nga Akhmat Grozni çeçen (në ligën e parë të Rusisë), për të provuar një aventurë të re, ndërsa nga kuqezinjtë e rinj, Enis Çokaj, po pret një transferim të bujshëm në një klub elitar këtë verë.

Hysaj, tani është i sigurt kalimi te Lacio

Kapiteni kuqezi, Elseid Hysaj, do të jetë dhurata e parë që drejtuesit e Lacios do t’i bëjnë trajnerit të tij të ri, Maurizio Sarri. Mbrojtësi shqiptar do të mbërrijë në Formello falas, pasi kontrata e tij me Napoli skadon më 30 qershor. Hysaj do të nënshkruajë një kontratë pesëvjeçare për 1.7 milionë euro në sezon, plus bonuset. Zyrtarizimi i shkodranit në ekipin bardhekaltër pritet të ndodhë në fundjavë. Hysaj do të mbajë rolin e mbrojtësit të majtë në formacionin titullar të Sarrit dhe nëse do të jetë e nevojshme mund të japë kontribut edhe në të djathtë. Shkodrani do të plotësojë boshllëkun e krijuar në mbrojtjen e Lacios në një rol vendimtar për lojën e Sarrit. 27-vjeçari është projektuar për të luajtur titullar sezonin e ardhshëm në të dy krahët e mbrojtjes. Në fakt, me largimin e Senad Luliçit nga 1 korriku, i vetmi në skuadër i aftë për të luajtur në ato role do të ishte Marusic dhe Lazarri, por ish-futbollisti i SPAL-it mund të largohet nga kryeqyteti me një ofertë prej rreth 20 milionë eurosh. I lindur në 1994, Hysaj është një emër i dëshiruar fort nga Sarri, që e ka pasur nën urdhrat e tij shkodranin që në kohët kur të dy ishin pjesë e Empolit e më pas te Napoli.

Enis Çokaj: Po pres të shkoj në një klub të madh

Ndërkohë që Hysaj kaloi tek Lacio dhe tani pritet vetëm të kalojë testet mjekësore e të firmosë zyrtarisht kontratën, një tjetër lojtar i Kombëtares po bën plane të reja për të ardhmen e tij dhe këtë herë është fjala për një futbollist të riu që ka ëndrra të mëdha. Kështu, mesfushori i Kombëtares, Enis Çokaj, i cili aktivizohet për Lokomotivën e Zagrebit në kampionatin kroat, ka folur për emisionin “Sport Magazine”, ku zbulon se këtë verë preferon të provojë një eksperiencë të re. “Kampionati europian është gjithmonë kënaqësi e veçantë. Tani presim që të luaj Kroacia dhe shpresojmë për një fitore. Modriç? Është edhe pak i vjetër, është edhe mosha vetë”, nënvizoi ndër të tjera Çokaj. Më pas ai del direkt e në temë, duke folur për të ardhmen e tij, ku ka ëndërr të luajë në një kampionat elitar në Europë dhe me një klub të njohur. Por ai e pranon se kjo do të jetë në dorë të menaxherit. “Po pres që të largohem këtë verë. Shpresojmë se mund të kemi ndonjë lëvizje, por është menaxheri ai që e di. Besoj se do të jetë ndonjë vend këtu afër”, nënvizoi më tej Çokaj.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here