Shfaqja “ I wear my tutu everywhere” ideuar dhe drejtuar nga primabalerina Ledia Sulaj vjen si një himn për kërcimin, dhe për të treguar se ëndrrat bëhen realitet. Shfaqja do të jetë nesër për publikun, në kuadër të “Festivalit të Resë”. Primabalerina Sulaj shprehet se me balerinat e vogla vjen para publikut me një emocion shumë të madh, dhe me një dëshirë të pafundme për magjinë e skenës. “Kjo shfaqje vjen natyrshëm si dëshirë e brendshme dhe si traditë e krijuar prej meje, pasi stërvit balerinat e vogle gjatë gjithë vitit, dhe dy herë në vit për vitin e ri dhe në qershor zhvilloj shfaqje. Mendoj se motivimi dhe bukuria më e madhe ndodh në skenë. Ndaj patjetër duhet prekur pas një stërvitjeje të gjatë. Do të jetë një pasdite shumë e larmishme”, thotë ajo për shfaqjen që do të nisë nesër në orën 17:30 te “Reja”. Në këtë shfaqje me balerinat e vogla do të mbizotërojë muzika klasike, por do të shkohet dhe tek ajo spanjolle, ruse, moderne, vallja e Tropojës, pjesë solo, duete dhe masivitet. Primabalerina Ledia Sulaj tregon se kanë menduar dhe një numër, ku të marrë pjesë i gjithë publiku. “Pra do të jetë një festë e madhe dhe ku tregohet se kërcimi nuk ka moshë dhe të fal lumturi për këdo. Sikurse edhe titulli i shfaqjes është menduar enkas për vendin, ku do të zhvillohet. Mesazhi tjetër, që duam të përcjellim është një edukim i brezave, që baleti klasik tashmë vjen pranë tyre dhe ku të gjithë mund ta shijojnë pëlqejnë”, tregon Sulaj ndër të tjera për shfaqjen premierë. Për këtë projekt, primabalerina Ledia Sulaj tregon se ka punuar shumë, edhe pse me vështirësitë e pandemisë, kur prindërit dhe fëmijët kishin pasiguri për grumbullimet, edhe pse ishim të ndarë sipas rregullave anti- covid. “Por pasioni i të vegjëlve dhe besimi i prindërve ndaj punës sime vlen për tu përmendur dhe falenderuar. Me shumë dashuri pas një viti vijmë të sjellim të sjellim buzëqeshje”, thotë primabalerina Sulaj. Sipas saj, puna me fëmijët është sa e lodhshme, por dhe aq bukur.









































