Radio Televizioni Shqiptar duhet të investojë dhe për produksionet e reja në krijimtarinë e muzikës serioze. Kështu shprehet kompozitori i njohur Haig Zacharian në një reagim të tij për RTSH. Aurorë të ndryshëm janë shprehur për atë që duhet të përmirësojë RTSH, dhe sipas tyre duhet më shumë vëmendje për krijimtarinë shqiptare. Edhe për kompozitorin Haig Zacharian përmirësimi duhet të jetë tek investimi për veprat e reja. Sipas tij, RTSH duhet të investojë në fushën e krijimtarisë së muzikës serioze. “RTSH ka bërë përmirësime, por duhet të investojë më shumë në produksionet e reja muzikore në muzikën serioze. Ka transmetime, por duhet të mendohet nga RTSH dhe për pjesët e reja, që të vijnë në krijimtarinë tonë. Çdo media televizive investon dhe në krijimtari, por RTSH duhet të jetë dhe një nxitje për redaksitë e tjera. RTSH duhet të parashikojë investim në muzikën serioze”, shprehet Zacharian. Radio Televizioni Shqiptar ( RTSH), sipas kompozitorit Haig Zacharian duhet të gjejë forma për të nxitur krijimtarinë klasike. Ai thotë se në vendin tonë kjo gjë nuk mund të lihet vetëm në dorën e krijuesve. “RTSH është një kanal që merr investim të caktuar, dhe një pjesë të asaj që merrte ta parashikonte për të nxitur dhe krijimtarinë e re muzikore. Ka forma sa të duash për këtë, mund të bëhen koncerte, mund të ketë jubile të ndryshme, mund të merret krijimtaria e një autori, etj. Krijimtaria e re ka nevojë për investim dhe nuk lihet vetëm në dorë të vetë krijuesve”, shprehet ai mes të tjerave për krijimtarinë e re në muzikën serioze.
Repertori shqiptar, në kombinim me prodhimin
Kompozitori Haig Zacharian thotë se Radio Televizioni Shqiptar ka redaksinë apo drejtorinë e prodhimit, që ka shumë rëndësi. Sipas tij nuk duhet shumë investim, por sa do që të jepet është ndihmë për krijimtarinë e re shqiptare. “Krahas punës që bëhet në RTSH për transmetimin e koncerteve, etj, të mendohet te repertori shqiptar në kombinim me redaksinë e prodhimit, sepse në RTSH ka dhe prodhim. Për produksionet e reja të muzikës klasike nuk po investon njeri. Të investojë në muzikën simfonike, të dhomës, etj. Nuk është kosto e lartë, por përfitimi është i madh, impakti është i mirë. Produksionet e muzikës së lehtë përdoren nuk rrinë pa përdorur, por vëmendja duhet të jetë dhe te muzika e re serioze”, thotë ai. Kompozitori i njohur Haig Zacharian ka krijuar vepra të shumta në gjini të ndryshme të muzikës. Vepra të tij janë luajtur në të gjitha ngjarjet e rëndësishme të jetës muzikore shqiptare si dhe në Kosovë, Maqedoni, Zvicër, Itali, Austri, Spanjë. Me një aktivitet të pasur në fushën e muzikës, Haig Zacharian është ndër autorët e vlerësuar në vend. Haig Zacharian ka kompozuar gjithashtu këngë për fëmijë, korale, muzikë filmash dhe aranzhuar shumë pjesë të muzikës klasike dhe romantike për ansamble të ndryshme. Është vlerësuar me çmime të ndryshme për krijimtarinë dhe aktivitetet e tij muzikore.









































