TIRANË – Ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri do të ruhet nga Garda e Republikës.
Nuk bëhet fjalë për ndonjë kërcënim, por për një procedurë normale. Vendimi i qeverisë është botuar sot në Fletoren zyrtare, ndërsa është propozuar nga ministri i brendshëm.
Tashmë në listën e pesonaliteteve dhe objekteve të tjera që ruhen dhe mbrohen nga Garda e Republikës te jetë edhe ambasadori i Bashkimit Europian në vendin tonë.
Sipas vendimit, edhe objektet ku akomodohet dhe ushtron veprimtarinë ambasadori i BE, do të ruhen nga Garda e Republikës.
‘VENDIM/ Nr. 375, datë 23.6.2021
PËR PËRCAKTIMIN E PERSONALITETEVE DHE OBJEKTEVE TË TJERA QË RUHEN E MBROHEN NGA GARDA E REPUBLIKËS
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 12, pikat 1, shkronja “d”, e 2, shkronja “d”, të ligjit nr.33/2021, “Për Gardën e Republikës së Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave
VENDOSI: 1. Garda e Republikës ruan dhe mbron këto personalitete:
a) Ambasadorin e Bashkimit Evropian në Shqipëri.
2. Garda e Republikës ruan dhe mbron këto objekte:
a) Objektet ku akomodohet dhe ushtron veprimtarinë personaliteti i përcaktuar në shkronjën “a”, të pikës 1, të këtij vendimi.
3. Ngarkohen Ministria e Brendshme dhe Garda e Republikës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare’