Google search engine

    Berati, qyteti i historisë, trashëgimisë dhe traditës

    0
    1532

    Berati, “qyteti i një mbi një dritareve” është pjesë e listës së trashëgimisë botërore të UNESCO-s, që nga 2008. Berati është një nga destinacionet e preferuara për turistët e huaj, pa lënë pas edhe ata vendas. Një vizatim i bërë së fundmi për Beratin është nga Arben Biçoku. Në vitin 1961 Berati u shpall zyrtarisht qytet muze, me pasuri të konsiderueshme monumentesh dhe me vlera të larmishme, të cilat përbëjnë një dëshmi të trashëgimisë kulturore. Jemi në sezonin turistik, por dhe DRTK Berat para disa ditësh publikoi një video për qytetin ku shkruante: “Qyteti i historisë, trashëgimisë dhe traditës ju mirëpret”. Pak ditë më parë edhe Qendra Muzeore Berat shprehej për pasuritë kulturore, që kanë muzetë. QMB shprehej se nëse fundjavën e kaloni në Berat, shpenzoni vetëm 30 minuta kohë në muzeun Etnografik e do njiheni me një botë, që ju fton të trokisni në gjurmët e rralla të së shkuarës. “Tradita, kultura materiale e shpirtërore, gjallon në shekuj e ju kujton pasurinë e vyer, rafinimin e arkitekturës, finesën e sqimën e veshjeve beratase, mjeshtëritë e jashtëzakonshme të zejeve e kodin e jetës e të mikpritjes”, shprehej mes të tjerave QMB. Janë disa destinacione për t’u vizituar në Berat si kalaja, muzeu i Onufrit dhe ai Etnografik, apo dhe lagjet Mangalem dhe Goricë. Kalaja e Beratit është një nga monumentet më të bukur dhe më të rëndësishëm të historisë dhe kulturës. Kompleksi i lagjes Mangalem është unik në artin e ndërtimeve. Mangalemi është një nga pikat më të fotografuara, pikturuara, gdhendura në dru e gurë; është emblema e Beratit. Lumi Osum ndan lagjen Goricë nga lagjia Mangalem. Të dyja qëndrojnë përballë njëra-tjetrës dhe janë sa të ndryshme aq edhe të ngjashme. Ura e Goricës, e ndërtuar në vitin 1780, e lidh me pjesën tjetër të qytetit. Muzeu i ikonografisë “Onufri” dhe ai Etnografik mbledhin, ruajnë dhe promovojnë koleksione me vlerë të rëndësishme të trashëgimisë kulturore të Beratit dhe zonës përreth.

    LEAVE A REPLY

    Please enter your comment!
    Please enter your name here