Shtohen sinjalet që vendi mund të shkojë drejt zgjedhjeve vendore, pas atyre parlamentare të mbajtura të dielën e 25 prillit. Në 30 qershor të vitit 2019, qytetarët shqiptarë iu drejtuan kutive të votimit, duke votuar krerët e 61 bashkive në vend, ndërkohë që këto zgjedhje i fitoi Partia Socialiste, për shkak se opozita e drejtuar nga Partia Demokratike i bojkoti ato. Por kur kanë kaluar thuajse 2 vite nga këto zgjedhje, në vend vijon debati. Opozita i konsideron zgjedhjet lokale si ilegjitime dhe sikur të mos mjaftonte kjo, sot që flasim janë 6 bashki pa kryetar, për shkak se 3 prej të zgjedhurve socialistë janë larguar, pasi kanë qenë subjekt i ligjit të dekriminalizimit. Rasti më i freskët vjen nga Mallakastra, teksa kreu i bashkisë, Qerim Ismailaj rrezikon të shkarkohet nga detyra, për shkak se ka gënjyer në formularin e dekriminalizimit, në një kohë që ka qenë i dënuar në Greqi. Por gazeta ka mësuar nga burime pranë Njësisë së Dekriminalizimit në Prokurorinë e Përgjithshme se priten të tjerë emra kryebashkiakësh që rrezikojnë të shkarkohen nga detyra, duke thelluar kështu krizën në pushtetin vendor dhe rritur numrin e bashkive që duhet të shkojnë në zgjedhje. Mësohet se nga hetimet e kryera deri më tani, por edhe nga informacionet e marra nga denoncimet e qytetarëve dhe subjekteve politike, disa kryebashkiakë aktualë mund të jenë subjekt i ligjit të dekriminalizimit dhe për rrjedhojë iu duhet të largohen nga detyra, pasi kanë shkelur ligjin. Kjo do të thotë se vendi pritet të shkojë në zgjedhje të pjesshme vendore, sepse janë plot 6 bashki pa kryetar.
Javën e ardhshme vendoset fati i zgjedhjeve vendore
Por sikur të mos mjaftonte kjo dhe në kushtet kur 6 bashki janë pa kryetar, gjasat janë që vendi mund të shkojë edhe në zgjedhje të parakohshme vendore. Shkak apo sebep pritet të bëhet një ankimim që Shoqata e Bashkive të Shqipërisë paraqiti në korrik të vitit 2019 në Gjykatën Kushtetuese, teksa e konsideroi procesin e zgjedhjeve lokale të 30 qershorit si antikushtetues për shkak të mungesës se alternativave në zgjedhje. Mirëpo, kur kanë kaluar gati 2 vjet pa një vendim për këtë çështje, Kushtuesja ka vendosur që ta ketë prioritet kërkesën e Shoqatës së Bashkive. Përmes një njoftimi të publikuar në faqen e saj zyrtare, Gjykata Kushtetuese bën me dije se padia e zonjës Ademi në emër të Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë do të shqyrtohet nga togat e zeza të institucionit më të lartë të drejtësisë në vend më 23 qershor në orën 10:00. Kjo do të thotë se pas gati 2 vjetësh, më në fund javës që vjen do marrim vesh nëse zgjedhjet lokale të 30 qershorit ishin apo jo legjitime, ku gjasat janë që Gjykata Kushtetuese të vendosë në favor të Shoqatës së Bashkive, duke rrëzuar kështu pushtetin vendor. Pra, javën që vjen vendoset fati i zgjedhjeve vendore. Kujtojmë që përveç kreut të Bashkisë Mallakastër që pritet të shkarkohet, edhe 5 bashki janë pa kryetar, sikundër është ajo e Durrësit, Shkodrës, Vorës, Rrogozhinës dhe Dibrës.









































