Detaje të reja kanë dalë në dritë në lidhje me vrasjen e 20-vjeçares në Greqi. Pasditen e sotme mediat greke raportuan se vrasësi i 20-vjeçares është burri i vet. Ndërkohë, tashmë janë publikuar disa detaje të reja në lidhje me ngjarjen e rëndë, ku thuhet se 32-vjeçari planifikonte të arratisej në Turqi. Mediat e huaja raportojnë se policia bëri gati helikopterin për të shkuar e për të marrë 32-vjeçarin, pasi kishte mësuar për planin e tij të arratisjes.
Por çfarë shkruajnë mediat greke disa ditë më parë?
Mediat greke drejtuan gishtin nga shqiptarët. U tha se në këtë ngjarje ishte e përfshirë një bandë shqiptaro-greke, e cila ishte e vendosur diku në periferi të Atikës.
“Për bandën në fjalë thuhet se është e përbërë nga shumë anëtarë që kryejnë kryesisht grabitje me dhunë dhe që kryesisht i lidhin me litarë viktimat e tyre. Për t’u arratisur, ata përdorin rrugë lagjesh duke shmangur bulevardet dhe kamerat e trafikut”, thanë mediat greke.