Kryeministri Edi Rama në Kongresin e së shtunës dha sinjale të qarta se kush janë ministrat që ikin dhe ata që rrinë në kabinet. Qeveria e re pritet të ketë formë shumë ndryshe nga ajo aktuale, por vetëm një pjesë pritet të jenë pjesë e saj, pasi rreth gjysma do të largohen. Rama futi në Presidiumin e Kongresit emra si: Arben Ahmetaj; Bledi Çuçi; Ogerta Manastirliu; Belinda Balluku; Etilda Gjonaj; Evis Kushi dhe Milva Ekonomi. Pra janë të gjithë ministra dhe Rama me futjen e tyre në Presidium dha sinjal se ata janë anëtarët e kabinetit më të besuar. Ndërkohë u lanë jashtë emra si: Olta Xhaçka; Elisa Spiropali; Niko Peleshi; Erion Braçe; Anila Denaj; Eduard Shalsi; Blendi Klosi; Elva Margariti dhe Pandeli Majko. Sinjalet janë se emrat e lënë jashtë me shumë gjasë në shtator nuk do jenë më në qeveri dhe në fakt bëhet fjalë për emra që është folur gjatë kohët e fundit që mund të largohen. Ndërkohë një tjetër zhvillim i Kongresit ishte largimi i Gramoz Ruçit, çka do të thotë se vendi i kryetarit të Kuvendit është bosh. Nëse shohim me kujdes zhvillimet e Kongresit kemi postin e zv/kryeministrit bosh, të kreut të Kuvendit dhe të gjysmës së ministrive. Pyetja që shtrohet është: A ishte ky një mesazh i Ramës ndaj Bashës se është gati t’i ofrojë këto poste për të bashkëqeverisur? Kohët e fundit është folur shumë për bashkëqeverisjen mes PS dhe PD. Rama e ftoi publikisht Bashën që të jenë bashkë duke sjellë një frymë të re në politikë. Fakti që kreu i qeverisë konfirmoi pranë vetes vetëm gjysmën e ministrave dhe la bosh zv/kryeministrin, ministritë dytësore dhe postin e kreut të Kuvendit, dyshohet se është një sinjal i qartë se shtatori mund të vijë me surpriza. Basha i mbylli debatet në parti duke u rikonfirmuar kryetar. Berisha dhe mbështetës pranë tij nuk e duan bashkëqeverisjen, por dyshimet janë se kjo është kërkesë nga ndërkombëtarët dhe sinjalet janë se palët po shkojnë drejt këtij skenari.
Bashkëpunimi PS-PD
Edhe nëse nuk shkohet direkt në bashkëqeverisje, në sesionin e ri parlamentar janë një sërë fushash ku palët janë të detyruara të bashkëpunojnë. Elementi kryesor ku pritet të bashkëpunohet është presidenti i ri. Edhe nëse Kushtetuesja nuk shkarkon Metën, vitin që vjen i mbaron mandati. Po këtë vit i mbaron mandati Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë. Sipas ligjit, shpalljen e bën presidenti, por në fund e zgjedh Parlamenti dhe sipas informacioneve PS do të kërkojë që të kemi një emër konsensual. Një tjetër vendimmarrje e Kuvendit do të jetë përzgjedhja e anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe të Këshillit të Lartë Gjyqësor. Anëtarët jo gjyqtarë dhe jo prokurorë kanë mandat 3-vjeçar dhe në fund të vitit duhet të zëvendësohen. Emrat e rinj po ashtu do të tentohen të zgjidhen me konsensus. Në fund kemi zgjedhjet vendore, ku PS është gati të përmbysë të gjitha bashkitë.









































