Google search engine

    Sekuestrohet pasuria me vlerë 3 milionë euro e biznesmenit të dëbuar nga Italia, në listë makina, apartamente dhe aksione

    0
    258

    Një pasuri me vlerë prej 3 milionë eurosh është sekuestruar së fundmi nga Policia e Shtetit. Pasuria është në emër të një biznesmeni shqiptar me iniciale G. Sallaku, që në fillim të këtij viti është dëbuar nga Italia. Një pjesë e kësaj vlere është e regjistruar gjithashtu edhe në emër të vëllait të tij dhe një mikut të tyre të përbashkët. Nëpërmjet një njoftimi për shtyp policia bën me dije se sekuestrimi i kësaj pasurie është bërë në kuadër të hetimeve prej rreth 3 vitesh të kryera ndaj këtyre tre personave. Sipas hetimeve biznesmenët me në krye 48-vjeçarin G.Sallaku dyshohet se kanë investuar në përfitimin e 3 milionë eurove, nëpërmjet veprimtarive kriminale. Në listë përfshihen konkretisht makina luksoze, apartamente dhe aksione të zotëruara kryesisht nga biznesmeni 48-vjeçar. Ky i fundit së bashku më vëllanë e tij dhe shokun e tyre pritet të përballen me akuzën për veprën penale “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”. Sakaq theksojmë se 48-vjeçari nuk është një emër i panjohur për drejtësinë italiane pasi dyshohet edhe për përfshirje në skema mashtrimi së bashku me vëllanë e tij dhe mikun e tyre. Ndër të tjera policia thekson se Sallaku ka kryer veprimtari kriminale dhe është dënuar në Itali nga viti 1999-2008. “Si rezultat i hetimeve të kryera dhe provave të grumbulluara, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës vendosi sekuestron preventive për pronat e shtetasve Gëzim Sallaku, S. S. dhe R. K., banues në Durrës, prona të dyshuara të përfituara nga veprimtaria kriminale e shtetasit Gëzim Sallaku, të cilat janë të regjistruara edhe në emër të shtetasve S. S. dhe R. K.”, thuhet në njoftimin për shtyp nga policia.
    Pronat e sekuestruara
    Hetuesit hodhën dyshime për skemën e pastrimit të parave që në vitin 2018, pas disa transfertave që janë kryer në disa llogari bankare nga ana e biznesmenit G. Sallaku në Itali. Në listën e pasurive të sekuestruara përfshihen konkretisht 100% të aksioneve të shoqërisë “GSA Sallaku” sh.p.k, me aktivitet “Import, eksport, tregti autoveturash, kamionësh etj”, me seli në Durrës, me ortak të vetëm dhe administrator G. Sallakun; 2 apartamente, në Durrës, po ashtu në emër të biznesmenit G. Sallaku; 20.600 m2 sipërfaqe toke arë, në Durrës, në emër të G. Sallaku; 1000 m2 sipërfaqe toke truall, mbi të cilën janë ndërtuar 2 banesa me sipërfaqe 140 m2 secila, në Durrës, në emër të G. Sallaku; Një godinë banimi dykatëshe dhe 2 apartamente banimi, në Durrës, në pronësi të shtetasit R. K.; 13 automjete të markave të ndryshme në pronësi të shoqërisë tregtare “GSA Sallaku”. “Në vijim të punës për identifikimin, gjurmimin, gjetjen dhe sekuestrimin e pasurive që rrjedhin nga veprimtaria kriminale në fushën e pastrimit të parave, pas një pune të mirëfilltë hetimore dhe profesionale të kryer nga Njësia për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në Drejtorinë Hetimore në Departamentin e Policisë Kriminale, në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës, u bë i mundur finalizimi i hetimeve 3-vjeçare në ngarkim të dy vëllezërve dhe të një shtetasi tjetër, me të cilin dy vëllezërit kanë lidhje shoqërore”, deklaron policia.

    LEAVE A REPLY

    Please enter your comment!
    Please enter your name here