Partia Socialiste do të mbledhë nesër pasdite Kongresin e saj të jashtëzakonshëm. Pak ditë më parë ishte vetë kryeministri Edi Rama, i cili zbuloi se më 12 qershor do të thirret një kongres i jashtëzakonshëm, ndërkohë që gazeta ka zbardhur axhendën dhe detaje nga organizmi. Kështu, sipas informacioneve nga selia rozë, Kongresi i PS do të nisë pasditen e nesërme në orën 17:30 dhe do të zhvillohet në stadiumin “Air Albania”. Mësohet se ky vendimi është marrë për shkak të numrit të lartë të delegatëve që ka Kongresi dhe vjen si detyrim edhe në zbatim të masave kundër koronavirusit, duke qenë se ambienti është i madh dhe i hapur.
Rama projekton qeverinë e re dhe fut në zgjedhje degët
Më konkretisht, hapja e Kongresit të Partisë Socialiste do të bëhet me një video dokumentar për rrugëtimin e PS nga vitit 1991 e deri më sot, ndërsa më pas në podium do të dalë kryeministri Rama, i cili do të paraqesë vizionin për Shqipërinë 2030 dhe angazhimet kryesore të programit qeverisës. Madje, sikundër pohuan burimet, zoti Rama do të projektojë edhe qeverinë e re gjatë punimeve të Kongresit, ku do të japë sinjale se kush nga deputetët e rinj të dalë nga zgjedhjet parlamentare të 25 prillit do t’i bashkohet ekzekutivit dhe kush nga ministrat aktualë do të duhet të largohet nga posti. “Hapja e Kongresit (Himni Kombëtar); Rrugëtimi i Partisë Socialiste prej 12 Qershorit 1991; Vizioni për Shqipërinë 2030 dhe Programi ynë Qeverisës në Mandatin e Ri”, thuhet në axhendën e Kongresit të siguruar nga gazeta. Po ashtu, mësohet se në Kongres do t’i hapet rrugë edhe mbajtjes së zgjedhjeve në Partinë Socialiste, ku degët në të gjithë vendin do të zgjedhin kryetarin e ri të partisë, sipas parimit, një anëtar dhe një votë. “Vendim “Për ngritjen dhe funksionimin e Komisionit të Posaçëm të Analizës për Zgjedhjet e Përgjithshme të 25 prillit 2021”; Vendim “Për zhvillimin e analizave për rezultatin e zgjedhjeve të përgjithshme të 25 prillit 2021””, thuhet në axhendë.
Zbardhen detajet e organizimit
Por projektimi i qeverisë së re dhe futja e degëve të Partisë Socialiste në zgjedhje, nuk janë të vetmet hapa që do të hidhen, pasi gjatë punimeve të Kongresit në fokus do të jetë edhe hapja e partisë dhe anëtarësimet e reja. “Vendim “Për zhvillimin e fushatës së anëtarësimeve të reja në parti”; Vendim “Për përfundimin e procesit të ngritjes dhe funksionimit të Regjistrit Digjital të Partisë”; Vendim “Për miratimin e Kalendarit Politiko-Organizativ të Partisë për periudhën qershor-dhjetor 2021””, thuhet në axhendën e Kongresit të siguruar nga gazeta. Megjithatë, mbetet të shihet nesër se çfarë do të ndodhë më konkretisht. Kujtojmë që mbledhja e Kongresit të Partisë Socialiste, përkon edhe me 30 vjetorin e krimit të kësaj partie dhe vjen pas mbledhjes së Asamblesë Kombëtare, e cila u mbajt në 2 qershor.