Plas konflikti për drejtimin e Shoqatës së Bashkive, shkarkohet Voltana Ademi dhe vjen Pjerin Ndreu, debate dhe akuza mes palëve

0
315

Kryebashkiakët socialistë kanë larguar Voltana Ademin nga posti i kryetares së Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë. Zgjedhjet për strukturat drejtuese u mbajtën në qytetin e Lezhës pas mbledhjes së jashtëzakonshme të asamblesë. Në vend të saj u zgjodh kryebashkiaku i Lezhës, Pjerin Ndreu. Kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi me anë të një statusi në Facebook, deklaroi se nuk e njeh vendimin nga këto zgjedhje teksa e quajti tentativë për të kapur ilegalisht shoqatën. Sipas saj këto veprime janë marrë nga eksponentë të Partisë Socialiste të cilët janë duke cenuar hapur parimet ligjit. “Në Lezhën e Besëlidhjes, sot eksponentë të PS tentuan të dëmtojnë Demokracinë. Sot pati një tentativë për të kapur ilegalisht Shoqatën e Bashkive të Shqipërisë, veprime të ndërmarra nga eksponentë të PS, jo anëtarë të shoqatës. Çdo veprim me prapavijë politike cënon hapur parimet e shtetit ligjor. Shoqata e Bashkive të Shqipërisë është e vendosur për të respektuar ligjin dhe vendimin përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese”, tha ajo. Ademi po ashtu në një reagim të dytë tha se vendimi është nul dhe nuk vlen pasi nuk ka një institucion serioz. Sipas Ademit, ky vendim ishte një mënyrë për të legjitimuar zgjedhjet vendore të 30-qershorit të vitit 2019-të, çështje e cila do të shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese pas padisë së bërë nga ajo. “Nga pikëpamja ligjore, vendimi i sotëm është nul, nuk ekziston për asnjë institucion serioz. Sigurisht, nuk mund të pranohet si i vlefshëm as nga Gjykata Kushtetuese, ku Shoqata e Bashkive të Shqipërisë ka kërkuar shpalljen e pavlefshme të votimeve të 30 Qershorit 2019 ”, tha ajo.

Reagon Ndreu

Ndërkohë kreu i ri i Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë, Pjerin Ndreu i kthye përgjigje Ademit ku mohoi se shkarkimi i saj bëhet për të tërhequr padinë në Gjykatën Kushtetuese për

legjitimitetin e zgjedhjeve vendore të 30 qershorit 2019-të. Sipas tij, vendimmarrja merret me shumicën e anëtarëve jo sipas humorit politik të Ademit.“ Çdo kryetar Bashkie apo Këshilli Bashkiak është anëtar. Një shoqate që sipas jush ju paska vetëm ju kryetare, anëtare, nënkryetare, pra vetëm një njeri, nuk e kuptoj se çfarë demokracie përfaqëson?! Pretendimi që sipas jush paskeni një kërkese padi në Gjykatën Kushtetuese dhe ne nuk jemi të legjitimuar është më së paku injorancë juridike! Secili prej kryetarëve të Bashkive ka një vendim gjykate që ka konfirmuar legjimitetin e zgjedhjes së tij, përveç jush që se keni, por ushtroni detyrën. Së fundi demokracinë e keni lexuar së prapthi, sepse ajo thotë që vendimmarrja merret me shumicën e anëtarëve, dhe jo me humorin tënd politik, që drejton gjoja një shoqatë ku na qenke vetëm ti e askush tjetër”, tha ai.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here