Në Këshillin e Lartë Gyqësor ka nisur seanca dëgjimore për procedimin disiplinor të kërkuar nga ILD Artur Metani ndaj magjistrates Enekelda Kapedani.
Kryetarja e Gjykatës së Elbasanit disa ditë më parë i dolën disa video në Tit Tok, ku ajo bënte pasarela nëpër zyrë, madje ato i shoqëronte me këngë të tilla që përmbanin fjalë “unë mafia, mafia”, apo të “gjuaj me kallash”.
Mësohet se në këtë seancë të KLGJ është e pranishme dhe vetë gjyqtarja Kapedani.
“Në rastin konkret ekzistojnë kushtet ligjore për caktimin ndaj magjistrates Enkeleda Kapedani të masës provizore të pezullimit nga ushtrim i detyrës deri në përfundimin e procedimit disiplinor, për shkak se vazhdimi i magjistratit në detyrë diskrediton rëndë figurën dhe pozitën e magjistratit”, deklaroi Inspektori i Lartë i ILD-së, Artur Metani.
Kapedani, e cila ka deklaruar se nuk ka ndonjë aplikacion në rrjetin social Tik Tok i cilëson si video të vjedhura dhe që dikush po kërkon të hedhë baltë në adresë të saj.
Kërkesa e ILD kundër gjyqtares
NOTE INFORMUESE
MBI KERKESEN E INSPEKTORIT TE LARTE TE DREJTESISE ARTUR METANI PER PEZULLIM DHE SHKARKIM NGA DETYRA TE MAGJISTRATES E.K.
Tiranë, më 7 Qershor 2021
Më 30.05.202, Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani ka filluar me iniciativën e tij, një hetim disiplinor ndaj magjistrates E.K., me detyrë Zëvëndëskryetare e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, e cila ushtron njëkohësisht detyrën e Kryetares së kësaj gjykate. Hetimi nisi pas publikimit gjerësisht në median e shkruar, atë vizive dhe në rrjetet sociale, të disa videove, që mbanin logon e rrjetit social “Tik Tok”, ku shfaqej magjistratja E.K., në ambientet ku ushtron detyrën dhe brenda një automjeti, me lëvizje e sjellje provokuese, shoqëruar në sfond me muzikë të papërshtatshme për imazhin e një magjistrati.
Hetimi disiplinor i Inspektorit të Lartë të Drejtësisë është realizuar në përputhje me afatin 3 ditor të pezullimit të magjistratit, në rastin e procedimit disiplinor (neni 152 i ligjit nr.96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar).
Gjyqtari duhet të ruajë dhe zbatojë standarde të larta të sjelljes dhe duhet t’i respektojë personalisht këto standarde, si gjatë ushtrimit të detyrës ashtu edhe në jetën private, në mënyrë që të ruhen integriteti, dinjiteti dhe besimi i qytetarëve tek drejtësia.
Nga analiza ligjore e fakteve të konstatuara, si dhe nga dokumentacioni i administruar provohet se:
– Subjekti i hetimit disiplinor, pas zgjedhjes si Zëvendëskryetare e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan dhe ushtrimit njëkohësisht edhe të funksioneve të Kryetarit të kësaj gjykate, ka përdorur ajo vetë Zyrën e Kryetarit të Gjykatës, për qëllime të tjera të ndryshme, nga ato që lidhen me ushtrimin e veprimtarisë gjyqësore apo drejtuese të gjykatës.
– Pamjet e videove, kqyrja e të cilave është e dokumentuar edhe në procesverbalet e inspektorëve përgjegjës, konfirmojnë një sjellje totalisht të pahijshme të magjistrates, të realizuar me dashje direkte nga ajo vetë.
– Sjelljet dhe qëndrimet që shfaqen në video të ndryshme, janë të realizuara në ditë të ndryshme, në ambiente të ndryshme. Magjistratja është vijuese, si në përdorimin e ambienteve të zyrës së kryetarit për të realizuar këto lloj videosh, ashtu edhe në videot e realizuara në automjetin tip BMW.
Nga hetimi disiplinor provohet se janë shkelur dispozitat lidhur me parimet e integritetit e vetëpërmbajtjes:
– Nga ana e magjistrates E.K. janë shkelur në mënyrë të përsëritur e me dashje “Parimi i Integritetit” dhe “Parimi i sjelljes së hijshme dhe me vetëpërmbajtje”, të parashikuara në Kodin e Etikës Gjyqësore.
– Sjelljet dhe veprimet e magjistrates të kryera jashtë ushtrimit të detyrës, por në ambientet e ushtrimit të detyrës, diskretitojnë figurën dhe pozitën e magjistratit dhe dëmtojnë besimin e publikut në sistemin gjyqësor, duke u parashikuar si shkelje shumë e rëndë disiplinore.
– Videot ku reflektohet sjellja e magjistrates kanë marrë edhe jehonë mediatike dhe rasti konkret, u përdor si shembull për etiketimin e sjelljeve negative të anëtarëve të të gjithë gjyqësorit në Shqipëri, përmes raportimeve, analizave e emisioneve të ndryshme.
Bazuar në konkludimet e hetimit disiplinor, Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani i propozon Këshillit të Lartë Gjyqësor, pezullimin nga detyra të magjistrates E.K., deri në përfundimin e procedimit disiplinor dhe masën disiplinore “Shkarkim nga detyra” të parashikuar nga neni 111 i Ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, për shkeljet disiplinore të parashikuara nga neni 140, pika 2, shkronja “a” të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë”, neni 103, paragrafi 1, shkronja “dh” të ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, si dhe shkelje te Kodit të Etikës Gjyqësore të miratuar nga Këshilli i Lartë Gjyqësor me Vendimin nr. 171, datë 22.04.2021: Seksionit “C” “Parimi i integritetit”, shkronja “a” dhe “b”, Seksioni “Ç” “Parimi i sjelljes së hijshme dhe me vetëpërmbajtje”, pika 9, shkronja “c”.









































