Bullgaria ka hedhur një tjetër hap të rëndësishëm, pasi duket e vendosur për të çuar përpara drejtësisë të gjithë zyrtarët e korruptuar dhe që janë shpallur “non grata” nga Departamenti Amerikan i Shtetit. Pak ditë më parë gazeta zbuloi se prokuroria bullgare ka nisur hetimet për disa zyrtarë që janë shpallur të padëshiruar nga amerikanët dhe se sipas tyre, ky hap është ndërmarrë në shenjë solidariteti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilët akuzojnë këta persona si të përfshirë në korrupsion. Por së fundmi gazeta ka mësuar se institucioni i akuzës do t’u kërkojë Shteteve të Bashkuara për ta specifikuar informacionin në lidhje me zyrtarët bullgarë të shpallur të padëshiruar nga amerikanët. “Prokuroria do t’u kërkojë Shteteve të Bashkuara për ta specifikuar informacionin në lidhje me praktikat korruptive për të cilat u vendosën sanksione sipas Ligjit Global “Magnitski” ndaj ish-deputetit Deljan Peevski, Vasill Bozhkovit, i cili aktualisht gjendet në Dubai, nënkryetarit të Byrosë së Kontrollit të Mjeteve të Specializuara të Inteligjencës Illko Zheljazkov, ish-kryetarit të Agjencisë për Bullgarët Jashtë Shtetit Petër Harallampiev, sekretarit të agjencisë në fjalë Krasimir Tomov dhe ish-Zëvendësministrit të Ekonomisë Aleksandër Manolev”, ka thënë zëdhënësja e Kryeprokurorit Sijka Mileva, shkruajnë mediat bullgare. Madje, zëdhënësja Mileva vuri në dukje se Prokuroria mbështet plotësisht partnerët e SHBA-së sa i përket sundimit të ligjit, i cili është në thelbin e çdo demokracie. Po ashtu, gazeta ka mësuar se ditën e djeshme qeveria e përkohshme krijoi një grup pune për të parandaluar vendosjen e ndërmarrjeve bullgare me pjesëmarrje të shtetit dhe të bashkive nën sanksionet e Departamentit të Thesarit të SHBA-së. Ndërkohë në lidhje me vendimin e DASH, ka reaguar edhe Ministria e Jashtme bullgare. “Superioriteti i ligjit është në thelbin e procesit demokratik në çdo shtet ligjor. Në marrëdhëniet me partnerët dhe aleatët tanë kemi theksuar bindjen tonë se luftimi i korrupsionit në të gjitha format e tij duhet të jetë përparësia jonë parimore dhe praktike”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Bullgarisë në lidhje me sanksionet e shpallura nga Departamenti i Shtetit i SHBA-s në kuadrin e ligjit “Magnitsky” kundër personave fizikë dhe juridikë bullgarë.





































