Google search engine
Home Ekonomi Ndryshimi i ligjit, zbardhen procedurat si do të bëhet dëmshpërblimi i aksidenteve,...

Ndryshimi i ligjit, zbardhen procedurat si do të bëhet dëmshpërblimi i aksidenteve, kategoritë dhe si do të veprohet për makinat e pasiguruara

0
462

Nga 1 korriku hyjnë në fuqi rregullat e reja ligjore për dëmshpërblimin e automjeteve në rast aksidenti. Në maj të këtij viti është publikuar ligji i ri, i cili përcakton se një pjesë e aksidenteve do të zgjidhen me marrëveshje mes palëve të dëmtuara dhe do të kërkojnë dëmshpërblimin direkt tek kompania e sigurimit. Por, para se ky ligj të kalojë në fuqi Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka vendosur ta kalojë atë për konsultim publik, në mënyrë që të merren për bazë edhe mendimi i grupeve të interesit. Në vendimin nga AMF thuhet se, aksidentet e ndodhura para datës 1 korrik nuk do të përfitojnë nga rregullat e reja. Pra, palët e dëmtuara në këto raste duhet të paraqesin kërkesën për dëmshpërblim tek kompania e sigurimit, ajo më pas e kalon tek Byroja Kombëtare e Sigurimit dhe kjo e fundit fillon procedurat e dëmshpërblimit. “Të gjitha kërkesat për dëmshpërblim me datë aksidenti përpara hyrjes në fuqi të ligjit “Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit” trajtohen, paguhen dhe rimbursohen nga Byroja Shqiptare e Sigurimit sipas legjislacionit në fuqi në datën e aksidentit. Për ngjarjet e ndodhura përpara hyrjes në fuqi të Ligjit 32/2021, nëse pala e dëmtuar i drejtohet shoqërisë së sigurimit, kjo e fundit e drejton tek Byroja, e cila regjistron kërkesën për dëmshpërblim dhe fillon procedurat e trajtimit dhe pagesës sipas legjislacionit dhe akteve rregullatore në fuqi në datën e aksidentit”, thuhet në vendim. Ndërsa, sipas dokumentit, kërkesat për dëmshpërblim me datë aksidenti pas 1 korrikut 2021 trajtohen, paguhen dhe rimbursohen sipas dispozitave të ligjit të ri. Pra, dëmshpërblehen direkt nga kompania e sigurimit pasi palët e dëmtuara kanë bërë kërkesën dhe një marrëveshje së bashku.

Mjetet e pasiguruara

Ndërkohë edhe për mjetet e pasiguruara që përfshihen në një aksident, pala e dëmtuar ka të drejtën që pas 1 korrikut të dërgojë kërkesën për dëmshpërblim në kompaninë ku ai ka marrë policën e sigurimit dhe dëmshpërblimi bëhet nga kompania pa kaluar më tek Byroja Kombëtare e Sigurimit. Kështu për përfituesit do të ketë më pak procedura dhe zvarritje të kota. “Në aksidentet e shkaktuara nga mjetet e pasiguruara ose të paidentifikuara, që ndodhin pas datës 1 korrik, të dëmtuarit i lind e drejta që kërkesën për kompensim ta bëjë te shoqëria e sigurimit ku ai ka prerë policën e tij të sigurimit dhe rasti i dëmshpërblimit do të trajtohet direkt nga ajo, sipas procedurave dhe afateve në fuqi të përcaktuara edhe për trajtimin e dëmeve të tjera. Kjo do të sjellë reduktim të kohës së trajtimit dhe pagesës së dëmeve, pasi procedurat do të ndiqen direkt nga shoqëritë e sigurimit, pa qenë e nevojshme që të kalojnë nëpërmjet Byrosë”, sqaron vendimi.

Lehtësitë

Nga data 1 korrik palët e përfshira në aksidente më dëme deri në 30 mijë lekë mund të zgjidhin çështjen vetë me një marrëveshje pa qenë nevoja të thërrasin policinë. Kjo sipas AMF është bërë sepse gati 40% e aksidenteve regjistrojnë vlerën e 30 mijë lekëve dhe për t’iu shmangur penaliteteve, palët e aksidentuara nuk kanë kërkuar as dëmshpërblim. Kështu tani e tutje palët mund të bien në kompromis dhe këtë marrëveshje ia dërgojnë kompanisë së sigurimit dhe kjo e fundit është e detyruar t’i dëmshpërblejë brenda 14 ditëve. “Në rast të një dakordësimi mes palëve kur ndodh një aksident ata mund të bien dakord që vlera e dëmit është nën 30 mijë lekë të reja dhe duke plotësuar këtë formular ata shmangin një kalvar të gjatë procedurash dhe letrash të përgatitura për shoqërinë e sigurimit. Mjafton të plotësojnë këtë duke e shoqëruar me disa foto nga vendi i ngjarjes dhe brenda 14 ditësh shoqëria e sigurimit është e detyruar për të trajtuar dhe për të bërë pagesën e dëmit”, u shpreh nëndrejtoresha e AMF, Mimoza Kaci, gjatë një interviste televizive.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here