“Me Kudretin kishim marrëdhënie të acaruara, kërcënonte se do më vriste. Sa herë doja të takoja fëmijët, na kërcënonte”.
Këto janë disa nga fjalët që ka thënë para hetuesve Dhurata Saliaj, e arrestuar si bashkëpunëtore e babait të saj në vrasjen e ish-bashkëshortit Kudret Saliaj.
“Sa here une tentoja te kontaktoja me femijet, ai vinte te puna e babit ose ne shtepi dhe na kercenonte dhe thoshte se do me vriste.
Rasti me i fundit ka qene para 3 ose 4 ditesh qe erdhi ne shtepi ne Picar dhe na kercenoi si familje. Kur vinte ne shtepi shumicen e hereve i dilte mami dhe perballej me te se mua kishin frike te me nxirnin. Para 1 muaji mami ka marre urdher mbrojtje nga ai per 1 vit.
Familja ime ka jetuar nen presion kaq muaj. Kam shkuar me babain tek gjykata dhe ja kam bere te qarte kudretit se une femijet nuk i le. Doja te takoja djalin ti flisja. Aty ndodhi ngjarja“, ka deklaruar ajo, raporton News24.
Mbrëmjen e djeshme, Policia arrestoi edhe vajzën e autorit, 33- vjeçaren Dhurata Salaj, pasi nga kamerat e sigurisë rezultoi se ajo ishte në lokal në momentin kur ndodhi krimi.
Në këtë formë u provua se ajo kishte thyer masën e arrestit shtëpiak. Policia tha mbrëmë zyrtarisht se vajza e autorit, kishte bashkëpunuar me të në krim.
Ngjarja e rëndë u regjistrua mesditën e së premtes në afërsi të Gjykatës së Tiranës, ku mbeti i vrarë me armë zjarri Kudret Saliaj, 41 vjeç. Autori i dyshuar i krimit të rëndë është vjehrri i tij, Mexhit Picari, 53-vjeç, ish-polic i burgjeve, vajza e të cilit ndodhej në proces divorci me viktimën dhe në Gjykatë ndodheshin pikërisht për këtë qëllim.
Drejtori i Policisë së Tiranës, Rebani Jaupaj, tha se viktima dhe bashkëshortja e tij, përkatësisht Kudret dhe Dhurata Saliaj, 33 vjeçe, kishin pasur probleme për një kohë të gjatë, ndërsa shtoi se autori i dyshuar i krimit është Mexhit Picari, ishte arrestuar menjëherë pas ngjarjes.
“Sot, në orën 11:50 minuta ka ndodhur një ngjarje e rëndë pranë një lokali ku është vrarë një person, i cili ka qenë në proces divorci me bashkëshortin e vet. I ati i vajzës është autori i kësaj ngjarje të rëndë. Si rezultat i kontrolleve të shpejta u bë e mundur kapja e autorit dhe shoqërimi i tij në drejtorinë e policisë së Tiranës. Viktima ka pasur një proces të gjatë divorci me bashkëshorten e tij”, theksoi kreu i Policisë.
Ai bëri me dije gjithashtu se Dhurata Saliaj kishte qenë e arrestuar më parë për dhunë në familje.
“Bashkëshortja ka qenë e arrestuar për probleme të dhunës në familje. Po bëheshin seanca për divorc. Në këto kushte, babai i vajzës ka goditur ish-dhëndrin e vet”, u shpreh Jaupaj.
Shefi i Policisë së kryeqytetit tha gjithashtu se nga ngjarja kishte mbetur i plagosur edhe avokati i viktimës, ish-prokurori Adriatik Cama, i cili ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën.








































