Cikalleshi “ndez” kuqezinjtë: Ndaj Uellsit dhe Çekisë sikur të ishin ndeshje zyrtare

0
222

Kuqezinjtë ndodhen prej dy ditësh në Kardif, kryeqendrën e Uellsit, ku më 5 qershor pasdite do të kenë një duel miqësor me përfaqësuesen e këtij vendi. Bëhet fjalë për takimin e parë miqësor të programuar në këtë periudhë për kuqezinjtë e ku trajneri Edi Reja synon të testojë lojtarët e tij dhe të përpiqet të harmonizojë elementët e grupit në skemat e tij taktike. Në konferencat për shtyp që kanë dhënë kuqezinjtë gjatë këtyre ditëve lihet të kuptohet se sfidat e qershorit nuk do të konceptohen si të tilla, por si duele të forta nga ku ekipi duhet të tregojë vlerat e tij. Ndërkohë, të njëjtës gjë i mëshoi dje edhe sulmuesi Sokol Cikalleshi, i cili beson se Kombëtarja do të luajë për fitore në këto dy takime të radhës, edhe pse ata janë thjesht takime miqësore.

“Nuk i konsiderojmë thjesht ndeshje miqësore”

Sikurse e tha vetë në konferencën e djeshme për shtyp, Cikalleshi, mbylli me Koniasporin një sezon fantastik, pothuajse për kopertinë, por tani ai është i përqendruar tek dy sfidat e rëndësishme miqësore të Kombëtares, fillimisht ndaj Uellsit e më pas ndaj Republikës Çeke. “Duke parë sezonin e gjatë prej pandemisë dhe ndeshjet e ngjeshura ka qenë një sezon i gjatë për të gjithë, por tani ka kaluar dhe jemi fokusuar te ndeshjet e Kombëtares. Sigurisht që ne nuk i konsiderojmë si miqësore por ne do të provojmë veten përpara provës së zjarrit që kemi në shtator. Janë dy ekipe që kanë shkuar në Europian dhe janë të nivelit me kundërshtarët që kemi në grup. Ne do provojmë veten dhe bashkë me trajnerin do mundohemi të bëjmë më të mirën. Ndodhemi në një moment delikat, vijmë nga Liga e Kombeve ku patëm një sukses dhe dolëm të parët tani kemi provën tjetër më të madhe. Tani jemi të fokusuar dhe nuk i cilësojmë si ndeshje miqësore”, nënvizoi Cikalleshi. Më pas ai foli për skemën taktike, duke e përjashtuar veten dhe grupin nga përgjegjësia e saj, duke thënë se kompetent për këtë është trajneri Reja. “Skemat i përkasin trajnerit ai e di më mirë dhe bë zgjedhjet më të mira në bazë të kontingjentin që ka. Skema jonë është 3-5-2 sepse kemi luajtur shumë ndeshje dhe ndaj Anglisë, nuk besoj se do të ketë shumë ndryshime por lojtarët duhet të japin më të mirën. Patjetër që çdo ndeshje është e rëndësishme pavarësisht kundërshtarit dhe rëndësisë së ndeshjes, për mua dhe çdo lojtar këto ndeshje janë shumë të rëndësishme, Sokoli dhe të tjerët janë të gatshëm dhe kur luajnë dhe ku nuk luajnë, Kombëtare nuk është vetëm kur luan. Un jam këtu gati, për të shënuar dhe për të ndihmuar skuadrën tani të shohim. Nuk dua të them që Uellsi është skuadër e lehtë, sepse është skuadër që ka shkuar në Europian dhe është në një nivel me kundërshtarët që do të kemi përballë në shtator. Për momentin ndodhet më lart se ne dhe jemi koshient, por duhet të jemi të përqendruar. Përqendrimi dhe saktësia përballë këtyre kundërshtarëve na bënë neve më qëndrueshëm në vazhdim”, vijoi më tej Cikalleshi.

E ardhmja/ Mbetet lojtar i Koniasporit

Në fund të qëndrimit të tij para gazetarëve Cikalleshi foli për të ardhmen e karrierës së tij, duke i mëshuar faktit se ai është nën kontratë me klubin e Koniasporit në Turqi. “Kam dhe një vit kontratë me Koniaspor, kam mbyll një sezon të mirë, do ta respektoj kontratën deri në fund. Në qoftë se ka ndonjë opsion të mirë normal do ta shqyrtoj deri në fund, deri tani është herët për të folur për transferta, dua të bëj më të mirën me Kombëtaren, pastaj kemi disa pushime, por jam me këmbë në tokë, jam i qetë. Në momentin që vijnë gjëra më të mira do ta shqyrtoj patjetër”, përfundoi sulmuesi kuqezi, Sokol Cikalleshi. Në takime5t miqësore ndaj Uellsit dhe Çekisë, pritet që trajneri Edi Reja t’i japë detyrë titullari, por nuk përjashtohet mundësia që ta nisë edhe nga stoli secilën ndeshje, kjo edhe për t’u dhënë shans të rinjve.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here