Avokat Spartak Ngjela ka paralajmëruar ndjekje penale për Metën dhe Berishën. Pas shpalljes “non grata” të Berishës dhe ngritjes së Komisionit Hetimor për shkarkimin e presidentit, deklarata të shumta janë bërë mbi fatin e tyre. Për më shumë sqarime, gazeta ka kontaktuar dje me avokat Spartak Ngjelën, i cili tha se ka shumë shanse që tashmë të fillojë procesi penal ndaj Metës dhe Berishës. Ngjela shpjegoi se, ndjekja penale ndaj Berishës do të vijë për shkak se akuzohet për korrupsion nga një superfuqi botërore dhe bazuar në këto të dhëna, procedurat juridike detyrojnë SPAK që të nisë hetim ndaj tij. Pra, ai theksoi se këtë herë Berisha nuk i shpëton dot sistemit të drejtësisë. “Shenjat janë që Meta dhe Berisha do të ndiqen penalisht. Sidomos, nga ato që kanë ndodhur deri më tani për Berishën, tregojnë që do shkojë në ndjekje penale sepse korrupsioni i tij është në tekstin e aktit administrativ të SHBA, të Departamentit të Shtetit, i cili e akuzon Berishën për korrupsion të lartë. Bazuar në ndjekje të procedurave, ndjekja penale do të fillojë, sepse në brendësi këtë kërkonte teksti i publikuar nga DASH. Prandaj, për Berishën procesi i ndjekjes penale duhet të fillojë sepse është normë juridike për Prokurorinë e Posaçme dhe kjo normë nuk mund të shkelet si procedurë. Në kushtet që jemi deri më tani Prokuroria e Posaçme është e detyruar të fillojë procesin penal për Berishën”, tha avokati për gazetën “SOT”. Ngela u shpreh se, po aq i rrezikuar është edhe Meta, sepse edhe për këtë të fundit e kërkojnë procedurat që të ndiqet penalisht, por kjo do të shihet pas vendimit që do të japë Kushtetuesja për shkarkimin ose jo të tij. “Sa i përket Metës kjo do të varet nga Gjykata Kushtetuese, varet se si do të vendosë ajo. Akoma nuk mund të flasim me bindje paraprakisht. Por, ajo që mund të them është se, në rast se Gjykata Kushtetuese vendos për shkarkimin e Metës edhe ndaj tij do të fillojë procesi penal”, theksoi ai.
Zërat për azil
Avokati u shpreh i prerë se, kërkesa për azil politik nuk i shpëton dot nga burgu Metën dhe Berishën. Ai e cilësoi si turp faktin që presidenti i një vendi bashkëpunon me rusët dhe nga ana tjetër sulmon aleatët më të mirë të shtetit të tij. Gjithsesi, avokati tha se kjo nuk mund ta shpëtojë Metën sepse Rusia e penguar nga fuqia amerikane nuk do pranojë kërkesën për azil të tij. Po ashtu ai foli mbi zërat se Berisha mund të kërkojë azil në Francë, ku u shpreh se dhe atij do i refuzohet nëse shkon te kjo lëvizje. “Referuar dhe asaj që thatë ju, është e rëndë që Metës i ka dalë në mbrojtje politika ruse, në një kohë që Meta kërcënoi aleatët tanë kryesorë dhe drejtuesit e NATO dhe SHBA me “raketat ruse”. Ky është një turp historik i një kryetari të shtetit në Shqipëri. Duke qenë se rusët po i dalin në mbrojtje Metës, ai mund të kërkojë azil politik në Rusi, mendoj që nuk është aq e lehtë për Rusinë sepse embargoja amerikane po dëmton shumë ekonominë vendase. Ndërkohë e njëjta gjë vlen edhe për Berishën. Nuk do mund ta kenë aq të lehtë”, u shpreh avokati.
Qëndrimet e Llallës
I pyetur në lidhje me akuzat e Llallës se SHBA ka ndikuar në dënimin e tij, Ngjela tha se ai është simbol i korrupsionit në vend. Sipas Ngjelës, korrupsioni i tij kap nivele të larta, prandaj organet e drejtësisë nuk kishin nevojë për ndërhyrje për ta vërtetuar këtë. Avokati tha se, me këto deklarata Llalla po vërteton që nuk mund të justifikojë pasurinë e vendosur nga krimi dhe flet në mënyrë jonormale. “Duhet të kuptoni se njeriu nën akuzë është nën presion psikik që kërkon shpëtim. Llalla ishte një njeri i korruptuar dhe nuk ishte nevoja që të kërkohej nga Uashingtoni që të dënohej një i pafajshëm. Një njëri pa asnjë pronë, që sot është me miliona, ju lutem tani! Ti nuk ke nevojë të thuash ma bëri X apo Y, ti provo me faktet e tua ato që të kanë kapur dhe nuk të hyn asgjë në këmbë. Por, Llalla nuk i arsyetoi dot si burim financiar dhe kuptohet që i kishte marrë me korrupsion, si gjithë gjyqtarët e tjerë”, tha avokati.







































