Google search engine
Home Sport Shtohen problemet për Rejën, Hysaj dëmtohet dhe nuk luan në miqësoret e...

Shtohen problemet për Rejën, Hysaj dëmtohet dhe nuk luan në miqësoret e qershorit

0
245

Trajneri Edi Reja nuk do të ketë në dispozicion disa prej lojtarëve kryesorë të Kombëtares për ndeshjet miqësore ndaj Uellsit dhe Republikës Çeke. Kjo pasi një pjesë janë dëmtuar para se të niste grumbullimi, kurse një pjesë e lojtarëve po dëmtohen në vijimësi gjatë procesit stërvitor që është zhvilluar në Durrës. Duhet thënë se kuqezinjtë kanë shfaqur gjendje të mirë, ata që janë pjesë e grumbullimit, por për Rejën është shqetësues fakti se dy-tre elementë cilësorë e titullarë të ekipit nuk do të jenë dhe dje kësaj liste iu shtua edhe ajo e kapitenit Elseid Hysaj. Një dëmtim që ka lënë hije të shumta dyshimi, pasi nuk bëhet fjalë për një dëmtim të rëndë. Ndërkohë, trajneri Edi Reja ka punuar me elementët e rinj të skuadrës, me dëshirën që të aktivizojë sa më shumë prej tyre për të parë jo vetëm formën fizike por edhe për të harmonizuar elementët në skemën e tij taktike të preferuar (3-5-2). Në fakt, tekniku ka punuar me disa skema, në varësi të kualiteteve teknike që ka në dispozicion, por për shkak edhe të situatës si dhe eksperimenteve, nuk pritet ndonjë lojë fikse në dy miqësoret e qershorit. Për t’u kthyer tek dëmtimet e titullarëve, mund të thuhet se ata do të ndikojnë jo pak në operformancën e skuadrës.

Hysaj, mungesë e rëndësishme për Kombëtaren në miqësoret e qershorit

Kuqezinjtë e skuadrës përfaqësuese të futbollit po përgatiten prej ditësh në kuadër të dy ndeshjeve miqësoreve që do të zhvillojë në fillim të qershorit, ndaj Uellsit dhe Republikës Çeke. Në ditën e tretë të përgatitjeve për këto sfida, grupi i lojtarëve ishte thuajse i plotë, teksa i vetmi që nuk do të luajë është Elseid Hysaj. Shkodrani nuk ka qenë pjesë e stërvitjes për shkak të një problemi në gju. Mbrojtësi i Napolit u është nënshtruar vizitave mjekësore për të kuptuar më mirë shkallën e dëmtimit. Nuk ka asgjë shqetësuese për gjendjen e mbrojtësit, megjithatë stafi mjekësor i kuqezinjve, në mënyrë që të mos rrezikojë edhe më shumë lojtarin, ka vendosur që ai të mos luajë në këto dy ndeshje miqësore. E diela do të jetë ditë pushimi për kuqezinjtë, ndërkohë skuadra do t’u rikthehet përgatitjeve të hënën, një ditë përpara nisjes drejt Kardifit për ndeshjen që do të luajnë kundër Uellsit. Kuqezinjtë janë pajisur me uniforma të reja, teksa javën e ardhshme do të bëhet edhe prezantimi i uniformave zyrtare që do të përdorin në eliminatoret e Botërorit “Katar 2022”.

Anis Mehmeti, synimi për të qenë një “8-sh” në Kombëtare

Anis Mehmeti, një tjetër talent shqiptar që aktivizohet jashtë vendit, me skuadrën e Wycombe në Angli, u shfaq sot në krah të Ismailgecit në konferencën për shtyp nga kompleksi “Tropikal”, ku Shqipëria U-21 është e grumbulluar. Ai nuk e fshehu kënaqësinë e të qenit pjesë e Shpresave kuqezi dhe zbuloi rolin e tij të preferuar në fushë, teksa tha se shpreson që sa më shpejt të bëhet titullar i padiskutueshëm i Wycombes. Në fillim ai komentoi ftesën që kishte marrë nga skuadra kombëtare e moshës deri në 21 vjeç. Ndihem shumë mirë që jam këtu, edhe skuadra më ka pritur mirë. Kur kam marrë ftesën që do të jem pjesë e Kombëtares U-21 kam qenë shumë krenar, që do të luaja për Shqipërinë. Jam shumë i kënaqur që jam pjesë e kësaj Kombëtareje dhe djemtë më kanë pritur shumë mirë. Tani shpresojmë fitore ndaj Andorrës”, nënvizoi ai. Më tej talenti i Shpresave komentoi pozicionin e tij në fushë. “Kam diskutuar me trajnerin, Alban Bushi, dhe do të luaj ose pas sulmuesit ose do të jem numri 8 (në gjuhë futbolli). Unë jam gati të luaj aty ku të më thotë trajneri”, shtoi ai. Në fund Mehmeti ka një objektiv për të arritur por hë për hë ka skuadrën e tij. Objektivi këtë vit është të luaj çdo ndeshje në formacion dhe po shikojmë çfarë ndodh edhe me klubet e tjera, por jam konsultuar dhe për tani është “Wycombe”.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here