Google search engine
Home Aktualitet Këngëtarja tullace” nga Ionesco shfaqet premierë për publikun

Këngëtarja tullace” nga Ionesco shfaqet premierë për publikun

0
368

“Këngëtarja tullace” nga Eugene Ionesco erdhi si bashkëpunim i teatrit Metropol dhe “Albania Dance Theatre” në kuadër të projektit AIDA, me regjinë dhe koreografinë e Gjergj Prevazit. Shfaqja u interpretua nga artistët Rosella Pellicciotti, Elton Cefa, Fjorald Doci, Semela Skenderasi, Ermir Jonka. Kjo shfaqje dans teatër u dha disa net më parë, dhe teatri Metropol shprehet se publiku kishte munguar. “Faleminderit publikut që na kishte munguar aq shumë, kastit fantastik, Universitetit të Arteve, stafit të teatrit Metropol dhe kujtdo që ishte pjesë!”, shkruan teatri. Premiera e re “Këngëtarja tullace” erdhi në skenën e amfiteatrit të Universitetit të Arteve në datat 20, 21, 22 maj në orën 20:30. “Këngëtarja tullace”, konsiderohet ndër kryeveprat e teatrit absurd, por si shumë shfaqje të tjera të teatrit absurd, tema themelore e saj nuk është menjëherë e dukshme. Shumë kritikë e studiues të Ionescos, sugjerojnë se ky tekst shpreh kotësinë e komunikimit kuptimplotë në shoqërinë moderne. Në premierën e saj të parë në maj të po të njëjtit vit kur edhe u shkrua në Paris, u ndoq vetëm nga 7 vetë dhe kishte spekulime se kjo ishte parodi për kohën kur u shkrua. Në vepër, absurdi vesh anën e jashtme të personazheve, kotësinë e gjesteve, veprimeve dhe jetës së tyre duke mos e rrezikuar kuptimin e veprës. Absurde është jeta e personazheve të veprës, por jo marrëdhënia dhe dialogu mes tyre. Duke u bazuar në stilistikën e dans teatrit, shfaqja gërsheton dansin, muzikën dhe fjalën, duke shfrytëzuar në disa momente edhe referenca nga skena dansi të njohura botërisht, por të rikontekstualizuara në rrethanat e “Këngëtares tullace”. Skena është pothuajse e zbrazët. Ngjarjet zhvillohen në kohë pa kohë dhe ndodhin në vend pa vend. Muzika në këtë premierë ishte nga Endri Sina dhe kostumografia Frenci Gjerasi dhe Afërdita Satka. Eugene Ionesco (Eugjen Jonesko) lindi më 26 nëntor 1909. Në vitin 1950 ai përfundoi dramën e tij të parë me titull “Këngëtarja tullace”, e cila u vu në skenë për herë të parë në maj të atij viti në Teatrin des Noctambules. Me një krijimtari të pasur, Eugene Ionesco vdiq më 28 mars 1994 në Paris në moshën 83 vjeçare.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here