Policia e Tiranës ka shpallur në kërkim dy djemtë e nënkampiones në qitje Lindita Kodra për plagosjen me armë të 19-vjeçarit Reginaldo Kaçorri ditën e sotme.
Policia bën me dije se shtetasit Klajdi Kodra dhe vëllai i tij me inicialet Aldo Kodra, në bashkëpunim me njëri tjetrin kanë qëlluar ndaj 19-vjeçarit pas një konflikti për motive të dobëta në një lokal në rrugën “Liman Kaba”.
Njoftimi i policisë:
Identifikohen dhe shpallen në kërkim dy vëllezër, të dyshuar si autorë të plagosjes me armë zjarri të 19-vjeçarit R. K.
Në vijim të informacionit të dhënë më parë për plagosjen me armë zjarri të shtetasit R. K., ndodhur rreth orës 15:45, në rrugën “Liman Kaba”, në afërsi të një lokali, ju informojmë se:
Falë veprimeve të shpejta dhe profesionale hetimore të kryera nga grupi hetimor u bë i mundur identifikimi i autorëve të dyshuar të ngjarjes dhe shpallja në kërkim e tyre.
Dyshohet se shtetasi A. K., në bashkëpunim me vëllain e tij shtetasin K. K., gjatë një konflikti të çastit kanë qëlluar me armë zjarri 19-vjeçarin R. K.
Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Shërbimet e policisë po ushtrojnë kontrolle dhe po krehin zonën për të bërë të mundur kapjen e autorëve.








































