Atletiko fitoi kampionatin në Spanjë dhe një nga lojtarët që shkëlqeu me ekipin e Simeones dhe dha një kontribut të çmuar ishte padiskutim sulmuesi Luis Suarez. Për largimin e tij nga Barcelona verën e vitit të kaluar është folur shumë, por koha i dha të drejtë lojtarit. Ndërkohë, Luis Suarezit nuk i del inati me drejtuesit e Barcelonës, që verën e kaluar e “dëbuan” nga “blaugranat” me pretekstin se koha e tij kishte përfunduar. Vendimtar me golat e tij në suksesin e Atletikos së Madridit në La Liga, sulmuesi uruguaian sulmoi, përveç ish-presidentit Bartomeu, edhe trajnerin holandez, Ronald Kuman, i cili i komunikoi se nuk e kishte në planet e tij me urdhër të klubit. “Kuman, pasi më tha që nuk më llogariste, m’u shpreh se “nëse kjo punë nuk zgjidhet, do të mbështetem te ti”. Kuptova që ai nuk kishte personalitet. Kam vuajtur kur Barça më dërgoi të stërvitesha veçmas”, nënvizoi ai. I pyetur për vazhdimësinë e Mesit në klubin e Barçës, “El Pistolero” theksoi: “Mesi nuk më ka thënë asgjë, por unë do t’i rekomandoja që ai të vazhdonte”. Në lidhje me nënshkrimin e mundshëm të Aguerros me Barcelonën, Suarez komentoi se e shihte pozitivisht afrimin e argjentinasit. Më tej kujtoi se Luis Enrike është trajneri më i mirë me të cilin ka punuar, pasi t’i thoshte gjërat në sy. Suarez e bëri të qartë se të fitosh La Ligën me Atletiko të jep më shumë kënaqësi se kur këtë sukses e arrin me Barçën, pasi kontributi i tij ka marrë më shumë vlerë. Në fund, 34-vjeçari konfirmoi se do të qëndrojë tek Atletiko e Madridit e sezonin e ardhshëm. “Simeone? Kur ai flet, të bind për gjithçka. Të thotë “eja këtu dhe se do të kesh këtë dhe atë”, të bën të ndihesh më i miri në botë. Ai më bindi dhe nuk pendohem”, tha në fund sulmuesi Luis Suarez. Kujtojmë se ai shkëlqeu sërish, edhe pse nuk ishte më pjesë e skuadrës së Barcelonës plot me yje, duke dëshmuar se është lojtar i nivelit të lartë. Por Suarezit do t’i mungojnë duelet “El Clasico” në kampionatin spanjoll, pasi ato rrisin kuotat e lojtarëve dhe imazhin e tyre në tërësi, sjellin më shumë përfitime, ndiqen nga më shumë spektatorë dhe në mbarë botën, e në të njëjtën kohë klasikja e futbollist spanjoll Real-Barça është mjaft e veçantë në krejt futbollin botëror, për shkak të rivalitetit midis dy klubeve. Ndërkohë, në lidhje me këtë temë, do të jetë një duel Barcelona – Real Madrid në gjysmëfinalen e Superkupës së Spanjës. Sipas rregullave të kompeticionit, fituesi i “Copa Del Rey” të edicionit 2020/21 përballet me skuadrën e dytë në klasifikim. Në këtë formë, i bie që do të shohim një “El Clasico” edhe në kuadër të Superkupës së Spanjës. Në gjysmëfinalen tjetër do të takohen finalisti i Copa Del Rey, Athletic Bilbao dhe kampioni i La Ligës, Real Madridi. Ndërkohë, në lidhje me trajnerin Kuman që Suarez e akuzon si teknik pa personalitet, dje ka pasur zhvillime, pasi ai ishte në takim me kreun e klubit Huan Laporta. Në fakt, e ardhmja e Ronald Kuman si trajner i ekipit të parë nuk është e garantuar dhe, për këtë arsye, zhvillohet një takim me Huan Laporta, Mateu Alemani, Rafa Yuste dhe një person shumë të afërt me Kuman (trajneri holandez nuk është i pranishëm).








































