Google search engine
Home Politike Meta përplaset me Ujësjellësin e Tiranës për cilësinë e ujit/ Reagon UKT:...

Meta përplaset me Ujësjellësin e Tiranës për cilësinë e ujit/ Reagon UKT: Shtëpitë dhe vilat e presidentit furnizohen 24 orë me ujë

0
277

Presidenti Ilir Meta ka hedhur akuza ndaj Ndërmarrjes së Ujësjellësit të Tiranës se ka furnizuar me ujë të papërdorshëm qytetarët. Me anë të një postimi në rrjetet sociale, ai thekson se qytetarët e Tiranës meritojnë mbrojtje të garantuar të shëndetit përmes shërbimeve shtetërore, që mbahen dhe paguhen me taksat e tyre. Ai theksoi se tashmë, pritet arsyetimi i vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë, çështja duhet të ndiqet edhe në instancat më të larta shtetërore. “E përshëndes aktivizimin e shoqërisë civile në këtë rast për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve nga papërgjegjshmëria dhe keqfunksionimi i Ndërmarrjes së Ujësjellësit të Tiranës, në varësi të bashkisë, që siç faktohet nga të dhënat e bëra publike, ka rrezikuar jetën e tyre duke i furnizuar me ujë të papërdorshëm sipas parametrave. Mbrojtja e shëndetit dhe e jetës së qytetarëve të Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë, veçanërisht në këtë periudhë pandemie, duhet të jetë prioritet absolut”, tha Meta. Ndërkohë, pas këtij denoncimi nga ana e presidentit ka ardhur edhe një reagim nga ana e UKT. Ky institucion, e ka cilësuar si të pavend reagimin e presidentit Ilir Meta. Sipas reagimit të UKT, presidenti Meta po e përdor këtë çështje për të keqinformuar publikun. “UKT ndoqi me keqardhje një reagim të pavend dhe aspak të denjë të Presidentit të Republikës, por që nuk çudit askënd, lidhur me një vendim gjykate, referuar një çështjeje që daton 5 vjet më parë, të keqpublikuar qëllimisht ditët e fundit nga disa media e portale pranë opozitës dhe Presidentit. Presidenti i Republikës, shtëpitë dhe vilat e të cilit sot furnizohen me 24h ujë, po e përdor qëllimisht këtë çështje për të keqinformuar publikun”, thuhet në njoftim. Ndër të tjetra, në reagim e bërë nga UKT thuhet se ky institucion nuk është më ai, i cili drejtohej nga aleatët e presidentit. UKT bënë me dije, se nga ana e këtij institucioni është ofruar për qytetarët ujë i pijshëm duke zbatuar standardet e cilësisë së ujit. “I kujtojmë Presidentit se UKT-ja nuk është më institucioni i dikurshëm, kur drejtohej nga një kanakar i një prej aleatëve më besnikë të z. president. Që nga ajo kohë, UKT ka pësuar një ndryshim rrënjësor, qoftë në dhënien e shërbimit për qytetarët, qoftë në furnizimin me ujë të tyre, duke e çuar furnizimin me 24h ujë në ditë në 70% të Tiranës. UKT siguron qytetarët e Tiranës se zbaton standardin kombëtar të cilësisë së ujit të pijshëm”, thuhet në reagim.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here