Google search engine
Home Politike Drejtesi KLP cakton Anita Jellën si drejtuese në Prokurorinë e Durrësit/ Genti Xholin...

KLP cakton Anita Jellën si drejtuese në Prokurorinë e Durrësit/ Genti Xholin në krye të Apelit të Tiranës, ja vendimet

0
431

Këshilli i Lartë i Prokurorisë në mbledhjen e zhvilluar dje ka bërë dy emërime të rëndësishme në krye të Prokurorisë së Durrësit dhe prokurorisë së Apelit të Tiranës. Në krye të Prokurorisë së Durrësit është vendosur Anita Jella, ndërkohë që në krye të Prokurorisë së Apelit në Tiranë është vendosur Genti Xholi. Në njoftimin e bërë nga KLP, thuhet se emërimi i tyre është për një periudhë 3-vjeçare. “Në përfundim të procedurave për ngritjen në detyrë në pozicionin e Drejtuesit në prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm, Këshilli vendosi unanimisht të caktojë znj. Anita Jella në detyrën e Drejtuesit të Prokurorisë, në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Durrës dhe z. Genti Xholi në detyrën e Drejtuesit të Prokurorisë, në Prokurorinë pranë Gjykatës së Apelit, Tiranë për një periudhë 3-vjeçare nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi. Sot, me emërimin e të dy drejtueseve, Këshilli vendosi të ndërpresë caktimet e përkohshme si drejtues në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës dhe në Prokurorinë pranë Gjykatës së Apelit, Tiranë”, thuhet në njoftimin e Këshillin të Lartë të Prokurorisë. Po ashtu, Këshilli pasi u njoh me vendimin e arsyetuar të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit drejtuar Këshillit të Lartë të Prokurorisë, me të cilin është vendosur ndryshimi i vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe shkarkim nga detyra i subjektit të rivlerësimit Artan Madani, vendosi me shumicë votash, ndërprerjen dhe përfundimin e procedurës së ngritjes në detyrë të prokurorit Artan Madani, kandidat për pozicionin e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Kavajë. Një tjetër vendim që Këshilli miratoi me shumicë votash, ishte edhe miratimi i raportit për analizimin e aftësive profesionale të subjektit të rivlerësimit kalimtar, prokurorit Saimir Bahiti. Në përfundim të mbledhjes së djeshme, shorti ka caktuar si relator për procedurën e ngritjes në detyrë për pozicion vakant të Drejtuesit në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tropojë, Vatë Staka.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here