Pas disa muajsh ndërprerje, procesi i kolaudimit do të rinisë në 31 maj. Lajmin e ka bërë të ditur vetë kreu i DSHPTRR, Blendi Gonxhe, i cili tha se të parat do të kontrollohen automjetet që transportojnë mallra. Duke sqaruar se çdo pikë kolaudimi do të ofrojë shërbim më cilësor dhe transparent, Gonxhe iu kërkoi qytetarëve të paguajnë rregullisht taksat për automjetin. Sipas tij , për çdo paqartësi shoferët mund të hyjnë në websiten e DPSHTRR dhe do të informohen mbi çdo detaj. “Ne po trajnohemi nga specialistët e pajisjeve dhe po punojmë me pajisje kompjuterike të reja. Ky është një shërbim që do të rregullohet aty ku duhet. Do bëjmë shtesë shërbimi në Durrës dhe në Tiranë. Kontrolli teknik i automjeteve do bëhet në fund të muajit, saktësisht më 31 maj do rihapet kolaudimi. Ne kemi nisur punën, që në fund të verës të të ofrojmë shërbim optimal. Kolaudimi nis me automjetet e transportit të mallrave. Disa sektorë, që kanë lidhje edhe me transportin, përfshirë turizmin, janë në krizë, edhe për shkak të pandemisë, por taksat duhen paguar në kohë. Keni udhëzime pranë webit të DPSHTRR”, u shpreh ai. Ndër të tjera ai dha dhe një lajm shumë të mirë për drejtuesit e mjeteve që iu ka skaduar certifikata në këta muaj që procesi i kontrollit ishte i pezulluar. Gonxhe tha se ata do të përfitojnë shtyrje të afatit për një vit, ndërsa të tjerët duhet të aplikojnë online dhe mund të lëvizin të lirë derisa t’u vendoset një datë për paraqitje nga institucioni. “Çdo certifikatë e skaduar, dhe kolaudimi ka qenë i mbyllur, presupozohet se nuk ka qenë faji i qytetarit dhe favorizohet me plus dymbëdhjetë muaj. Edhe nëse ka marrë vulë për 1 muaj, disa muaj, ai përfiton 12 muaj mbi datën e skadencës që ka në mjet. Keni paguar 1800 lekë për kolaudimin në një kontroll, do paguani 1800 lekë për kolaudimin për dy vjet, domethënë është përgjysmuar, mendoni dhe koston për ardhjen, kohën. Ajo që kërkojmë në këmbim është përgjegjësi më e lartë nga drejtuesit”, deklaroi ai. I pyetur nëse mosdekretimi i ndryshimeve të Kodit Rrugor nga Presidenti, ku është dhe përcaktimit për kolaudimin njëherë në dy vjet, mund të penalizojë procesin, Gonxhja tha se janë marrë të gjitha masat dhe ky proces do të hapet më 31 maj. “Ne i kemi marrë të gjitha masat që çfarëdo lloj skenari të mos prekë këtë skaletë. Ky është i vetmi rast që nuk do ketë vend për politikë, interesi është shumë i lartë, flitet sigurinë rrugore, për 1 milionë drejtues. Kemi skaletën tonë, nuk e diskutojmë që do hapemi më 31 maj”, tha Gonxhe.









































