Google search engine
Home Politike Berisha drejt azilit politik në Francë?/ Zbardhet strategjia me padinë ndaj Blinken,...

Berisha drejt azilit politik në Francë?/ Zbardhet strategjia me padinë ndaj Blinken, në mbrojtje të tij dalin edhe mediat ruse

0
259

Departamenti Amerikan i Shtetit duket se ka vënë në alarm klasën politike shqiptare. Shpallja “non grata” e Berishës ishte sinjal i qartë se SHBA nuk do të druhet para askujt, sado i fortë dhe me ndikim qoftë ai. Në krah të Berishës doli presidenti Ilir Meta, i cili sulmoi fort amerikanët. Gazeta e tha pak ditë më parë se qëndrimet e Metës gjejnë mbështetje të lartë në mediat ruse dhe kjo duket se është një sinjal se presidentit po i bëhet gati rruga për të marrë azil pasi të largohet nga Presidenca. Por duket se drejt kësaj rruge është dhe ish-kryeministri Berisha. Ai ka paditur në Francë Sekretarin Amerikan Antony Blinken, por dyshimet janë se kjo mund të jetë dhe një lloj strategjie që ai të kërkojë azil në Francë nëse rrezikohet nga reforma në drejtësi. Gazetari Genc Burimi ka folur në një emision televiziv rreth kësaj padie, ku nuk e ka përjashtuar dhe mundësinë e azilit. Burimi ishte ai që intervistoi pak ditë më parë avokatin që ka marrë Berisha në betejën kundër Blinken. Ai ka deklaruar se nëse Berisha rrezikohet nga reforma në drejtësi, avokati në fjalë mund edhe të përgatisë procedurat për të kërkuar azil. “Është një rast i veçantë. Janë dy shtetas të huaj që gjykohen në Francë. Po ashtu njëra palë është diplomat. Unë mendoj se avokati po studion strategjinë. Unë mendoj që do jetë vendim direkt, jo hetim. Kjo është e vetmja mënyrë. Nëse deklarata është bërë më 15 maj nga DASH, duhet që deri më 15 gusht hetimi të ketë përfunduar. Nëse kërkohet gjykim i menjëhershëm, pa hetim, atëherë tejkalohen afatet. Avokati mund të shkojë deri aty deri sa të thotë se SHBA-të janë në konflikt interesi, pasi amerikanët në Shqipëri kanë financuar reformën në drejtësi. Është publike kjo. Dhe vendosja në listën e zezë implikon drejtësinë. Nëse Berisha i druhet ndonjë reprezalje në Shqipëri, avokati kërkon azil politik”, tha Burimi.

Qëndrimet e mediave ruse

Ajo që bie në sy është se vendimi i DASH ka bërë jehonë në të gjithë botën, përfshirë dhe Rusinë. Por teksa në shumë shtete kemi një raportim të thatë të asaj që ka ndodhur, ndryshe ka ndodhur me disa portale ruse. “Rianafn.ru” ka bërë një artikull ku flet dhe një ekspert për Berishën, ndërsa portali që ka marrë tërësisht në mbrojtje ish-kryeministrin është “vkrizis.ru”. Portali në fjalë ka bërë një artikull tmerrësisht të gjatë, i cili nis kështu: “Makina e pandërprerë e sanksioneve amerikane goditi viktimën e re. Sali Berishën, ish-Presidentin dhe ish-kryeministrin shqiptar. Tani figura historike është nën sulm. Ky njeri që bëri epokë në historinë e një vendi evropian. Një lideri kombëtar, në kohën kur një republikë demokratike po ndërtohej mbi rrënojat e diktaturës komuniste”. Më pas analizohet e gjithë jeta e Sali Berishës, që nga sistemi komunist dhe deri më sot. Ndërsa në fund artikulli mbyllet: “Sali Berisha nuk është Hashim Thaçi. Ish-presidenti i Shqipërisë, sado të jetë përfshirë në korrupsion të “rëndësishëm”, respekton rregullat e elitave botërore, në vend që të thyet, si ish-presidenti i Kosovës”.

Qëndrimi amerikan

Meta dhe Berisha janë për momentin dy personat më të papëlqyer nga amerikanët. Vendimi i DASH ishte shumë i rëndë, ndërkohë që sinjalet ndaj Metës janë dhënë. Ambasadorja Yuri Kim e sulmoi drejtpërdrejt, ndërsa dje në një reagim për “Vizion Plus” ambasada e SHBA u ka dhënë një shuplakë të fortë të dyve, si Metës ashtu dhe Berishës. “Sekretari i Shtetit mori informacion të besueshëm në lidhje me përfshirjen e Berishës në korrupsion të rëndësishëm dhe përpjekjet për të ndërhyrë në proceset publike dhe përvetësimin e fondeve publike në Shqipëri. Me këtë veprim, qeveria e Shteteve të Bashkuara po bën të qartë se ne nuk do të angazhohemi, dhe si rrjedhim, nuk do t’u japim kredibilitet dhe mbështetje, individëve të korruptuar si Berisha, një individ që Sekretari i Shtetit ka përcaktuar se ka kryer veprime korruptive në kurriz të popullit shqiptar”, tha ambasada për televizionin në fjalë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here