Drejtësia shqiptare pritet të rihapë dosjen e vrasjeve më 21 janar 2011 në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Prokuroria e Posaçme rihapi çështjen e Gërdecit duke kërkuar rigjykim për Fatmir Mediun, por sinjalet janë se do të kemi rihetim për “21 Janarin” sa i takon vrasjes së Aleks Nikës dhe Hekuran Dedës. Për të dy këta persona nuk është dënuar askush, pasi nuk dihet se kush janë autorët. Por në lëvizje së fundi u vu dhe Gjykata e Strasburgut. Gazeta raportoi pak ditë më parë se familjarët e të ndjerit Aleks Nika iu drejtuan Strasburgut për të kërkuar drejtësi. Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut i është drejtuar me një kërkesë Avokaturës Shqiptare dhe kërkon informacion mbi të gjithë procesin hetimor e gjyqësor për Nikën. Pritet që në fund të procesit të kërkohet rihapja e hetimit, ndërsa kjo pritet të arrihet përmes një marrëveshje mes familjarëve të viktimës dhe qeverisë. Arsyeja është sepse tashmë e kemi një precedent në Strasburg. Vite më parë iu drejtuan gjykatës edhe familjarët e Hekuran Dedës, për të cilin nuk ka autor dhe Strasburgu kërkoi rihetim.
Rruga që do ndiqet
Në rastin e Hekuran Dedës, Gjykata e Strasburgut shprehet se prokuroria dhe gjykatat në Shqipëri kanë shkelur nenet e Konventës për të Drejtat e Njeriut. Familjarët e viktimës dhe qeveria kanw rënë dakord që të rihapet çështja. “Qeveria pranon se hetimi i kryer mbi rrethanat e vdekjes së të afërmve të ankuesve nuk ishte në përputhje me nenin 2 të Konventës dhe se këto çështje nuk ishin adresuar në procedurat penale të lartpërmendura. Qeveria gjithashtu merr përsipër të rihapë procedurat penale në këtë rast në lidhje me përfshirjen e të afërmve të viktimave në këto procedura”, thuhet në vendim. Duke qenë se rasti i Dedës është identik me atë të Aleks Nikës pritet që dhe në rastin e këtij të fundit Strasburgu të kërkojë drejtësi. Vendimi i Strasburgut e ka bërë më të lehtë rrugën që duhet të ndiqet për të rijetuar ngjarjen. Janë 2 nene në Konventën e të Drejtave të Njeriut, të cilat mund të përdoren nga autoritetet. Në vendim përmendet neni 2, në të cilin thuhet se akujt nuk mund t’i merret jeta padrejtësisht. Ndërsa në nenin 6 kërkohet që për çdo rast duhet të ketë një proces gjyqësor ligjor dhe të rregullt. Familjarët e viktimave janë ankuar se ata nuk janë bërë pjesë e hetimit. Pra pritet që shumë shpejt të kemi një vendim të dytë nga Strasburgu, i cili detyron qeverinë shqiptare të iniciojë hapjen e dosjes.
Lëvizjet
Në janar të këtij viti, qeveria dha sinjalet se mund të tentojë rihapjen e dosjes. Policia e Tiranës ka dorëzuar një kërkesë në prokurori, ku kërkon riekspertim hetimor për vrasjen e Hekuran Dedës dhe Aleks Nikës. Po ashtu kërkohet të riekspertim për plagosjen e Fatos Mahmutajt, Sokrat Godes, Erald Boshas, Artes Dybelit, Ilia Qeskos dhe Ilia Papas. Sipas informacioneve, policia ka kërkuar të kryhet riekspertim i predhës së gjetur në trupin e Aleks Nikës, të ripyeten personat që kanë dijeni, kryesisht ish-efektivë dhe efektivë të Gardës që ishte në shërbim në datën 21 janar. Gjithashtu në letër-kërkesë kërkohet të ripyeten të afërm të viktimave dhe dëshmitarë. Vrasja e Nikës është më e mistershmja e “21 Janarit”. Fillimisht ai mbeti i plagosur dhe u dërgua në Turqi ku dhe ndërroi jetë. Akti i ekspertimit datë 5 maj 2014 vërteton se Nika u qëllua me një plumb. Kjo predhë është ekzaminuar edhe në laboratorin e FBI Virginia ku thuhet se ka dalë nga një pushkë me 6 viaska, por predha nuk mundi të identifikohet nëse është qitur nga tytat e pistoletave të dërguara për ekzaminim apo nga tytat e tjera. Predha e gjetur në trupin e Nikës është e kalibrit 9 mm, ndërsa policia thotë se është qitur nga një armë zjarri Mp5. Policia kërkon të kryhet rikëqyrje e pamjeve filmike të fokusuar kryesisht tek Ziver Veizi, Aleks Nika, Hekuran Deda dhe të plagosurit. Sipas letër-kërkesës, kërkohet me anë të një shkrese IPSH-së nëse ka apo jo laborator për ekzaminimin kriminalistik në vendet e BE që të ekzaminohet predha e gjetur në trupin e Aleks Nikës. Rasti i tij u nda nga vrasjet e tjera dhe hetimet kanë vijuar deri një vit më parë kur dhe janë pezulluar. Po ashtu policia ka kërkuar që të bëhet një riekspertim i provave për vrasjen e Hekuran Dedës. Pra duket se gjërat po lëvizin dhe do jetë Prokuroria e Tiranës ajo që pritet të shkaktojë tërmet.









































