Presidenti Ilir Meta doli hapur në mbështetje të ish-kryeministrit Sali Berisha, pasi ky i fundit u shpall ‘non-grata’ nga SHBA. Madje akuzat e ngritura ndaj Berishës nga SHBA, Meta i quajti si të montuara në zyrat e larta në Tiranë, duke nënkutpuar kryeministrin Rama.
Në lidhje më këtë deklaratë të Presidentit Meta, Vizion Plus ka kërkuar një koment nga Ambasada Amerikane në Tiranë.
Duke adresuar dy pyetje: A ka pasur ky vendim ndikim nga Qeveria e Shqipërisë? A ka lidhje ky vendim me procesin zgjedhor?
Në përgjigjen e ardhur, Ambasada nuk ndalet specifikisht tek deklarata e Metës, por nënvizon se nuk do të mbështesë individët e korruptuar.
“Sekretari i Shtetit mori informacion të besueshëm në lidhje me përfshirjen e Berishës në korrupsion të rëndësishëm dhe përpjekjet për të ndërhyrë në proceset publike dhe përvetësimin e fondeve publike në Shqipëri. Me këtë veprim, qeveria e Shteteve të Bashkuara po bën të qartë se ne nuk do të angazhohemi, dhe si rrjedhim, nuk do t’u japim kredibilitet dhe mbështetje, individëve të korruptuar si Berisha, një individ që Sekretari i Shtetit ka përcaktuar se ka kryer veprime korruptive në kurriz të popullit shqiptar.”, përgjigjet Ambasada Amerikane.









































