Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev është deklaruar në lidhje me propozimin e ndërtuar nga presidenca portugeze, për arritjen e një marrëveshjeje mes Maqedonisë dhe Bullgarisë, gjë që do të sillte më tej edhe heqjen e vetos bullgare mbi integrimin evropian të Maqedonisë. “Presidenca portugeze me BE-në dhe ministri i Jashtëm Augusto Santos Silva, në propozimin e ofruar për zgjidhjen e kontestit në mes Maqedonisë dhe Bullgarisë, është kujdesur të përfshihen pritshmëritë nga të dyja palët”, është shprehur kryeministri maqedonas. Propozimi i presidencës portugeze është prezantuar ditën e premte nga diplomati portugez Augusto Silva dhe eurokomesari Oliver Varhelyi. Kryeministri Zaev e ka vlerësuar propozimin si një bazë tepër të mirë për të arritur më tek në një zgjidhje përfundimtare. “Kemi diskutuar seriozisht dhe do të vazhdojmë edhe në të ardhmen. Presidenca portugeze është kujdesur që të përfshijë interesat e të dyja palëve. Është përfshirë edhe pala bullgare dhe sipas rezolutave të tyre mund të vazhdojnë negociatat, pasi presim që sa më parë Bullgaria ta pranojë identitetin dhe gjuhën maqedonase. Çdo herë kam thënë se ka vullnet të mirë për të ardhur deri tek zgjidhja nga të dyja palët”, tha Zaev. Ndërkohë presidenti i Bullgarisë, Rumen Radev ka bërë me dije se rruga e Maqedonisë për në Bashkimin Europian kalon vetëm nëpërmjet Bullgarisë. “Rruga e Maqedonisë drejt Bashkimit Evropian, kalon përmes Sofjes. Përnjëherë u bëra shumë interesant për të gjithë liderët evropianë. Për momentin është kthyer shumë vëmendje drejt Bullgarisë. Nuk do ta përdor fjalën presion, por të mos harrojmë që Bullgaria është anëtare e NATO-s. Nga vendet tjera kërkojmë solidaritet. Më e rëndësishme është të mos lejojmë probleme të reja në BE”, tha Radev.
Dita e Alfabetit
Një nga çështjet e cila ka krijuar kontestin mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë është pikërisht çështja e gjuhës maqedonase. Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria të hënën kanë shënuar ditën e vëllezërve Kiri dhe Metodi, dy shenjtor ortodoks, themelues të alfabetit sllav, që me disa modifikime përdoren në të dyja shtetet. Shënimi i kësaj ngjarjeje që për dyja vendet ka rëndësi të madhe historike, ka shërbyer si pretekst që drejtuesit e dy shteteve të përsërisin qëndrimet lidhur me kontestin sa i takon gjuhës dhe identitetit maqedonas që ka bllokuar hapjen e bisedimeve të Maqedonisë së Veriut me BE-në. Bullgaria pranon identitetin e ri maqedonas dhe gjuhën maqedonase të krijuara siç thonë pas vitit 1945, ndërsa para kësaj periudhe Sofja pretendon se ato kanë pasur rrënjë bullgare. Presidenti bullgar ka thënë se kontesti me Shkupin ka zgjuar interes të madh mes vendeve të BE-së, por pa përmendur fjalën presion. “Unë nuk do ta them fjalën presion, por të mos harrojmë-Bullgaria është anëtare e Bashkimit Evropian. Ne do t’i drejtohemi anëtarëve të tjerë të BE për solidaritet. Gjëja më e rëndësishme është të mos lejojmë që probleme të reja të futen në Union”, tha presidenti bullgar Rumen Radev. Sakaq, kryeministri maqedonas tha se beson se fryma evropiane e këtij manifestimi do t’i japë shtysë zgjidhjes së mosmarrëveshjeve me Bullgarinë. “Unë besoj se fryma evropiane e Presidentëve Radev dhe Pendarovski do të jetë një nxitje për të bërë një hap përpara për zbatimin e Marrëveshjes për fqinjësi të mirë”, tha ai. Ditën e djeshme, presidentët e Maqedonisë dhe Bullgarisë kanë udhëtuar së bashku për në Romë në kuadër të ditës së vëllezërve Kiri dhe Metodi, gjë e cila është cilësuar nga Zaev si një tregues i qartë i frymës europiane të dy presidentëve, gjë e cila sipas tij jep shpresa në lidhje me një zgjidhje mbi kontestit mes Maqedonisë dhe Bullgarisë.












































