Fatos Klosi ka treguar arsyen pse Sali Berisha me Fatos Nanon donin ta arrestonin gjatë kohës kur ai sapo ishte larguar nga kreu i SHIK-ut.
“Berisha donte të më arrestonte kur u ngrit Komisioni Parlamentar për Hetimin e Shërbimit Informativ, por qe kryesisht dhe personalisht për mua. Ishte koha e idilit të Fatos Nanos me Berishën dhe që të kishin të njëjtën mendje. Ishin afruar aq shumë dhe u duheshin argumente për të treguar pse kishin qenë aq të ashpër me njëri-tjetrin dhe tani u afruan. Unë dëgjova, jo prej tyre, por po e them me rezerva. Dëgjova që ata kishin vendosur të më akuzonin mua me shumë gjëra të tjera që pastaj të ishte e besueshme edhe teza e tyre që isha unë që i kisha ngatërruar. Unë me informacionet e mbrapshta, me informacionet e drejtuara kundra Berishës, e kisha nxehur Nanon që të shkonte keq me Berishën. Unë kam qenë në një situatë shumë të vështirë në atë kohë, sepse ishte problem arrestimi. Qëllimi i atij Komisioni Hetimor Parlamentar ishte që t’i rekomandonte Prokurorisë pastaj që mua të më arrestonin. Ata ngulën këmbë që unë duhet të arrestohesha. Dhe kjo ishte shumë e thjeshtë. Donin që gjithçka që kishte ndodhur për keq, sepse ata kishin shkuar shumë keq me njëri-tjetrin dhe ishin dy personazhe kryesore të Shqipërisë të gjenin një argument që tregonin se kishte dhe të tjerë që e kanë pasur fajin. Ne nuk kishim asgjë me vrasjen e Azem Hajdarit. Ne si SHISH e kishim marrë vesh por nuk ishte ndonjë meritë e madhe se në Tropojë flitej hapur. Nuk bëmë ndonjë punë të veçantë. Kishim dy-tre njerëz në Tropojë dhe ata çdo ditë mblidhnin informacione, çfarë tha njëri, çfarë tha tjetrit. Vrasja e Azem Hajdarit nga ata që e bënë pretendohej si një hakmarrje dhe atje po s’e the që e bërë ti hakmarrjen është njësoj sikur nuk e ke bërë.”,- tha Klosi.









































