Një penallti e dyshimtë e dhënë në pjesën e dytë të ndeshjes dhe e shndërruar në gol nga Herald Marku, i ka dhënë Vllaznisë fitoren dhe trepikëshin që e bën pretendente për titullin, ndërkohë që Partizani del pothuajse jashtë loje në garën për titull dhe vetëm një mrekulli mund t’ia japë trofeun. Vllaznia e mundi drejtpërdrejt dje në “Air Albania” në kryeqytet, me një penallti krejtësisht të dyshimtë ku Belica sipas gjyqtarit Enea Jorgji kishte prekur topin me dorë. E preku apo jo, tani nuk ka më vlerë, sepse rezultati 1-0 për shkodranët është zyrtar dhe me këtë fitore Vllaznia parakaloi në renditje të kuqtë, ndërsa do të presë në javën e fundit Laçin, në një tjetër duel direkt për titullin. Por ky rezultat ka favorizuar dukshëm Teutën, e cila duke ruajtur pozitat e tanishme fiton titullin me golavarazh kundrejt shkodranëve.
Pjesa e parë
Ndeshja nisi me vonesë, për shkak të një paradoksi që përsëritet në futbollin shqiptar. Vonoi autoambulanca 20 minuta, gjë që shtyu edhe ndeshjet e tjera rivale në Fier dhe në Kurbin. Të dy trajnerët zgjodhën të luanin me skemën 4-3-3, por të ndryshueshme gjatë lojës. Rasti i parë për shkodranët, një goditje këndi që Imami e çon me kokë sipër traversës. Partizani përgjigjet me një pasim filtrues, që nxjer në zonë Lucas Cardozon, Zogoviç devijon goditjen e brazilianit. Bashkatdhetari i tij në kampin tjetër, Viktor Da Silva, i shpëton Muratajt për të lëshuar një gjuajtje që shkon sipër traversës. Vllaznia luan me personalitet dhe krijon një epërsi edhe pse të lehtë, në të 20-ën Kruja detyron Alban Hoxhën të bëjë një superpritje në goditjen e tij me kokë. Pak më vonë ka një rrëzim në zonë të Avdijajt, loja vazhdon rregullisht dhe edhe përsëritjet e imazheve nuk krijojnë bindjen për një pengim të tijin nga Bardhi në rrëshqitje e sipër. Shumë më larg kornizave të 11-metërshit një rrëzim pastaj i Çinarit në krahun tjetër të fushës. Shkodrani është i rrezikshëm për skuadrën e qytetit të tij në një goditje prirët grushton Zogoviç dhe nuk arrijnë të përfitojnë në kthimin e topit. Alban Hoxha, në krahun tjetër, është një garanci e fortë për Partizanin, në lartësinë e duhur edhe në një veprim të bukur individual të Da Silvës. Kapiteni i kuq bën më pas edhe një tjetër ndërhyrje vendimtare në goditjen në hyrje të zonës nga Jonuzi dhe mbyllet me rrjeta të paprekura një pjesë e parë, me Vllazninë që ka krijuar diçka më shumë.









































