Klubet kanë nisur të lëvizin për të përmbushur objektivat e tyre në treg, edhe pse zyrtarisht merkato hapet më 1 qershor. Kanë nisur të lëvizin edhe lojtarët dhe menaxherët e tyre. Kështu, sikurse mësohet së fundmi, e ardhmja e Xhixhi Donarumës duket gjithnjë e më larg Milanit. Agjenti i futbollistit Mino Raiola më shumë sesa për t’i rinovuar kontratën në skadencë në verën e këtij viti me kuqezinjtë po punon për t’i gjetur një sistemim të ri portierit 22-vjeçar. Mediat spanjolle dhe më konkretisht gazeta madrilene “AS” shkruan se Raiola së fundmi ia ka ofruar Donarumën drejtuesve të Barcelonës, të cilët në merkaton e kësaj vere janë të prirur të gjejnë lojtarë cilësorë që mund të transferohen në “Camp Nou” me parametër zero dhe pas dyshes Serxhio Aguerro-Erik Garcia, gardiani i Milanit mund të jetë i treti në këtë listë. Në fakt Barça e ka portierin titullar dhe ai është gjermani Mark Andre Ter Shtegen por nuk përjashtohet mundësia që ky i fundit të largohet pasi ka kërkesa nga Anglia për t’i bërë vend Donarumës, aq më tepër që shitja e Ter Stegen do të sillte të ardhura në skuadër dhe gjermani do të zëvendësohej nga një portier i ri dhe akoma me më shumë perspektivë. Mbetet për t’u parë se çfarë do të ndodhë gjatë ditëve në vijim por vështirë se 22-vjeçari do të qëndrojë te Milani pasi diferenca me kërkesës së Donarumës për kontratën e re dhe ofertës së Maldinit dhe Masarës është e madhe. Raiola kërkon minimalisht 10 milionë euro në sezon për klientin e tij, ndërkohë që Milani nuk ofron më shumë se 7 milionë euro, kështu që e ardhmja e tij me shumë gjasa do të jetë larg Milanos ndërkohë që për Donarumën nuk mungojnë as pretendentët nga Italia dhe Anglia. Ndërkohë, trajneri i Barcelonës, Ronald Kuman, ende shpreson se Lionel Mesi do të qëndrojë në klub sezonin e ardhshëm. Argjentinasi mund të ketë luajtur ndeshjen e tij të fundit me fanellën blaugrana pasi Kuman i dha leje për të munguar në sfidën me Eibar. Mesi dëshironte të largohej nga “Camp Nou” vitin e kaluar, por nuk mundi të largohej falas pasi kontrata e tij skadon këtë verë, ndërsa klubi ende nuk është dorëzuar dhe beson se mund ta bindë të qëndrojë. “Shpresoj që të vazhdojë këtu edhe për shumë vjet. Ai është një lojtar unik, ka notën maksimale si një profesionist. Nëse nuk qëndron atëherë Barcelonës do t’i duhet të kërkojë efektivitetin te futbollistë të tjerë. Leo ka shënuar 30 gola këtë sezon, dhe e ka ndihmuar jashtëzakonisht skuadrën”. Pavarësisht rendimentit të Lionel Mesit këtë sezon, Barcelona është jashtë garës për titull në La Liga. Katalanasit nuk mund të arrijnë më shumë se vendi i tretë teksa përgatiten për ndeshjen e fundit të sezonit. Natyrshëm që presioni është rritur shumë mbi trajnerin holandez, si rezultat i sezonit zhgënjyes dhe vetë Komen e pranon se nuk e di nëse do të pushohet. “Nuk e di nëse do të qëndroj, me të vërtetë që nuk e di. Nuk kam folur me presidentin, dhe do ta bëjmë këtë pas ndeshjes së të shtunës. E kam thënë që nga dita e parë se do të doja të vazhdoja. Ne na duhet të ndryshojmë disa gjëra por unë dua të vazhdoj. Fjalën e fundit do ta ketë presidenti”.









































