Google search engine
Home Aktualitet Interpretuesit e parë të baletit “Delina”, Zoica Haxho dhe Agron Aliaj

Interpretuesit e parë të baletit “Delina”, Zoica Haxho dhe Agron Aliaj

0
724

Baleti “Delina” i takon vitit 1964. Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit shprehet se kjo vepër shkruar nga Çesk Zadeja është baleti i dytë shqiptar. “Ishte 17 maj i vitit 1964, kur kompozitori Çesk Zadeja, mjeshtri Panajot Kanaçi, dirigjenti Rifat Teqja dhe piktori Shaban Hysa vunë në skenë baletin e dytë shqiptar “Delina”. Interpretuesit e parë të këtij baleti kanë qenë dyshja e balerinëve Delina-Zoica Haxho dhe Arbani-Agron Aliaj. Rolet e tjera u interpretuan nga balerinët e njohur Xhemil Simixhiu, Ganimet Vendresha, Miltiadh Papa, Albert Janku, Marial Jakob, Estref Shaqiri, Hysen Këllezi, etj. Baleti “Delina” konsiderohet si një nga baletet më të njohur të repertorit shqiptar”, shkruan Teatri i Operës dhe Baletit, ndërsa ka publikuar dhe foto nga shfaqja e vitit 1964. Profesor Zadeja është kompozitor që përfaqëson në universin tonë kombëtar figurën më të madhe krijuese. Si pedagog ka dhënë vite të tëra kontribut të jashtëzakonshëm dhe shumë të çmuar. Shumë kompozitorë që janë bartës të veprimtarive muzikore sot në Shqipëri, janë diplomuar nën drejtimin e kompozitorit Zadeja. Ata sot zhvillojnë veprimtari të shumta dhe shumë programe të shkollave muzikore shqiptare janë të punuara, të redaktuara dhe të mbikëqyrura prej tij. Nëse shohim listën e të diplomuarve, do të vërejmë se sot kreu i krijimtarisë muzikore përbëhet nga kompozitorët e diplomuar te profesor Zadeja, dhe disa prej tyre nuk janë më gjallë. Në Shqipëri për sa i përket baletit përpjekjet e para u bënë me tablotë koreografike dhe duke vënë në skenë pjesë të huaja klasike. Më 1956, trupa e baletit u përforcua me profesioniste dhe nisën të vihen në skenë balete të zhanreve të ndryshme duke ngritur nivelin artistik. Në repertorin e Teatrit Kombëtar të Operës dhe të Baletit u vunë në skenë balete të zhanrit klasik: “Romeo dhe Zhuljeta”, “Paganini” etj. Një etapë e re nisi me krijimin dhe vënien në skenë të veprave nga autorë shqiptarë. Kështu lindi baleti kombëtar me vepra si “Halili dhe Hajria”, “Shota dhe Azem Galica”, “Delina”, etj.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here