Google search engine
Home Politike Drejtesi Fati i Metës varet nga Kushtetuesja, ambasada e SHBA mesazh anëtarëve për...

Fati i Metës varet nga Kushtetuesja, ambasada e SHBA mesazh anëtarëve për çështjet e bujshme, gjykata goditje presidentit për letrat shantazhuese

0
365

Ambasadorja amerikane Yuri Kim i ka dërguar një mesazh të qartë Gjykatës Kushtetuese sa u takon çështjeve të bujshme. Kjo gjykatë ka nisur të funksionojë dhe aty do të ketë disa përballje mes qeverisë dhe Presidencës, por beteja më e fortë do të jetë ajo e shkarkimit të presidentit. Javën që vjen pritet të vuloset shkarkimi i tij dhe dosja do të shkojë më pas në Kushtetuese, e cila do të interpretojë pretendimet e mazhorancës dhe përcaktimet kushtetuese. Dosje të rëndësishme të tjera janë edhe ajo për shembjen e teatrit apo mbajtjen e zgjedhjeve vendore. Dje ambasadorja Yuri Kim reagoi duke shpërndarë një deklaratë të Gjykatës Kushtetuese, duke dërguar një mesazh për të gjithë, si për gjyqtarët ashtu dhe për palët në procese. “Pas 3 vjet paralizimi, Gjykata Kushtetuese u bë funksionale në Dhjetor 2020. Që atëherë, Gjykata ka shqyrtuar 100 çështje dhe ka lëshuar 25 vendime. Çështje edhe më të vështira po vijnë. Reforma në drejtësi është e vërtetë. SHBA do të jetë me Shqipërinë derisa sistemi i drejtësisë të jetë plotësisht funksional”, shkruan Yuri Kim.

Mesazhi i Kushtetueses

Gjykata Kushtetuese doli me një deklaratë për mediat ku i paralajmëroi të gjitha palët se duhet të respektojnë vendimet e saj. Pra duket se Kushtetuesja po paralajmëron vendime të forta dhe ua ka bërë të gjithëve të qartë se nuk duhet të ketë presione e sulme ndaj tyre. Por qëndrimi i saj duket se është edhe një mesazh ndaj presidentit. Ky i fundit pak ditë më parë sulmoi Kushtetuesen përmes një letre, duke dalë kundër vendimit të saj mbi padinë e KLSH për ligjin e financimit të pushtetit vendor. “Gjykata rithekson rëndësinë që ka pranimi nga kushdo i forcës detyruese të vendimmarrjes së saj, bazuar në nenin 132 të Kushtetutës, i cili parashikon se vendimet e saj janë përfundimtare dhe të detyrueshme për zbatim. Çdo lloj vendimmarrje e kësaj gjykate, qoftë njëzëri ose me shumicë të votave, është dëshmi e një procesi mendimesh e qëndrimesh të gjyqtarëve kushtetues, sipas bindjes së brendshme të bazuar në Kushtetutë, integritetit dhe paanësisë së gjyqtarit kushtetues ndaj çdo ndikimi të mundshëm të faktorëve të tjerë. Nga ana tjetër, çdo lloj vendimmarrje në kushtet e diversitetit të mendimeve e ushqen njëlloj procesin e pasurimit të vazhdueshëm të jurisprudencës dhe doktrinës kushtetuese”, shprehet gjykata.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here