Google search engine
Home Politike Drejtesi Drejtuesi i Gjykatës së Apelit në Durrës përballet me vetingun, ja gjetjet...

Drejtuesi i Gjykatës së Apelit në Durrës përballet me vetingun, ja gjetjet e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit

0
336

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit zhvilloi dje seancë dëgjimore ndaj drejtuesit të Gjykatës së Apelit në Durrës, Desart Avdulaj. Trupa gjykuese e kryesuar nga Roland Ilia, me relatore Xhensila Pinen dhe anëtare Brunilda Bekteshin njoftoi se rivlerësimi për Avdulajn ishte bërë vetëm në kriterin e pasurisë. Gjatë relatimit, Pine bëri me dije problemet me justifikimin e burimit të ligjshëm për 70 mijë euro hua nga katër persona, dy vëllezër, një kushëri dhe një i njohur, dyshimet mbi pronësinë e fshehur të një makine blerë nga i vëllai dhe pamundësinë financiare në disa vite. KPK po ashtu përmendi edhe dyshimet për konflikt interesi në një çështje që po shqyrtohet në Gjykatën e Apelit në Durrës. Para fillimit të relatimit, gjyqtari paraqiti prova shtesë dhe i kërkoi Komisionit rihapje të hetimit për dy kriteret e tjera. Ai tha se pasuria ishte e ligjshme dhe se huadhënësit po ashtu, kishin pasur të ardhura që i justifikonin huat. Avdulaj kundërshtoi dyshimet për pasuri të fshehur dhe ato për konflikt interesi, ndërsa tha se dosja në fjalë nuk ishte lexuar prej tij dhe emri i tij në sistemin elektronik si gjyqtar i saj ishte një gabim teknik. Sipas “BIRN” hetimi i KPK në pasurinë e Avdulajt ishte fokusuar edhe te një apartament 169.8 metra i blerë në vitin 2015 për 101 mijë euro, i financuar kryesisht përmes 4 huave 70 mijë euro dhe 31 mijë euro prej kursimeve të vetë gjyqtarit dhe bashkëshortes. KPK cilësoi si të pajustifikuara 1 milion lekë që bashkëshortja kishte sjellë me vete në fillim të martesës, gjysma si dhurim nga prindërit dhe gjysma si kursime prej pagës së saj. Avdulaj këmbënguli se këto para ishin të ligjshme. Ai tha se familja e bashkëshortes kishte pasur burime alternative të të ardhurave, përfshi ato nga bujqësia, por për të cilat nuk kishte dokumentacion. Ai po ashtu, tha se një shumë rreth 325 mijë lekë ishin të ardhura të dhuruara nga të afërmit me rastin e martesës. Desart Avdulaj ka përfunduar studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2004 dhe pas një periudhe stazhi në Gjykatën e Durrësit, u emërua gjyqtar në Gjykatën e Gjirokastrës. Prej vitit 2013, ai e ushtron funksionin në Gjykatën e Apelit të Durrësit.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here